Cana: Kombëtarja mund të japë edhe më shumë!
Në prag të dy ndeshjeve të radhës eliminatore për Evropianin e vitit 2020, Lorik Cana, ish- kapiteni i kombëtares kuqezi, në një intervistë për “Ora e Tiranës” ka folur për gjendjen aktuale të kuqezinjve dhe ka vlerësuar trajnerin e ri të Shqipërisë, Edi Reja.
“Kjo kombëtare mund të japë akoma më shumë. Është një pjesë e lojtarëve, që mund të them kocka, ajo ekzistuese, dhe mund t’i marrim akoma më shumë. Ka eksperiencë dhe shpresojmë që në të ardhmen të jetë e suksesshme. Do të jetë ndoshta në vështirësi pas ca vitesh pasi të mbarojë gjenerata e evropianit, ndoshta do të çalojë, por akoma mund të na japë kënaqësi dhe krenari për disa vite”, ka thënë Cana .
Cana foli edhe për trajnerin e ri të kombëtares Edi Reja. “Është një nga trajnerët që ka më shumë eksperiencë në Itali dhe në mbarë kontinentin tonë. Nuk ka eksperiencë jashtë Italisë përveçse tek Hajduku i Splitit por ka aq eksperiencë sa t’i marrë më të mirën grupit. Nëse djemtë arrijnë ta ndjekin dhe cilësitë e tyre dhe të trajnerit dalin, besoj që për një kohë të shkurtër mund të bëjmë gjëra shumë të mira”, ka shtuar Cana.
Cana ka thënë se kombëtarja duhet të marrë së paku 4 pikë nga dy sfidat e radhës, në datën 8 qershor kundër Islandës dhe në datën 11 qershor kundër Moldavisë.
“Unë besoj që nuk kemi filluar në mënyrën më të mirë, patjetër sepse humbja me Turqinë na lë mbrapa me një konkurrent direkt për vendin e dytë. Sepse Franca do të dominojë grupin dhe ka një cilësi, përveç kampion bote, ka cilësi më shumë se të tjerat. Por besoj me Turqinë dhe Islandën janë dy kundërshtarë që nuk i kemi shumë larg në nivel. Humbja me Turqinë na ka prishur punë në garë. E kryem detyrën ne në Andorra dhe tani janë përballe direkte me kundërshtarë që së paku jashtë fushës së tyre, në Island është shumë vështirë për çdo kundërshtar, mirë do ishte të kthehemi të paktën me 1 pikë, që është komplet e realizueshme se nuk ka sh diferenca dhe të kryejmë detyrën me Moldavinë. Trajneri Reja tha që do kishte firmosur për katër pikë, edhe unë do kisha firmosur për katër Ditë. Çunat e dinë që kanë për detyrë të fitojnë me Moldavinë, edhe kjo me Islandën ka rëndësi…”, përfundoi Lorik Cana.