Cana: Kurti ishte në anën e gabuar të historisë, PDK e LDK punuan për interesin nacional
Ish-diplomati Edon Cana ka kritikuar ashpër pushtetin aktual, duke deklaruar se liderët e këtij pushteti nuk kanë dhënë asnjë kontribut historik në çlirimin, pavarësinë dhe shtetformimin e vendit.
Cana e përmendi veçanërisht kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se gjatë momenteve kyçe për Kosovën, ai ishte në anën e gabuar të historisë.
“Liderët aktualë nuk kanë asnjë kontribut historik në çlirimin, pavarësinë dhe shtetformimin e Kosovës”, ka thënë Cana në “FIVE” të Dukagjinit.
“Në fakt nëse shohim historikisht, ne e kemi për shembull kryeministrin Kurti, i cili ishte në anën e gabuar të historisë si ën ’98-99, në aspektin e Rambujesë. Në pavarësinë e Kosovës në krijimin e një imazhi se çdo gjë është shkatërruar në 20 vite në Kosovë”, ka shtuar Cana.
Cana vuri në pah se, ndryshe nga Lëvizja Vetëvendosje, partitë si PDK dhe LDK kanë punuar gjithmonë për interesin kombëtar të Kosovës, edhe pse kanë pasur mospajtime politike.
Ai përmendi kontributin e këtyre partive gjatë negociatave në Vjenë dhe në periudhën e pasluftës, duke theksuar se ato gjithmonë kanë vepruar në mbrojtje të interesave nacionale.
“PDK-ja, kur ka qenë në opozitë, ishte pjesë e një grupi të unitetit në Vjenë, duke mbrojtur interesat e Kosovës. Mos të harrojmë se kryeministri i atëhershëm, Bajram Rexhepi, ka mbrojtur interesat kombëtare. Çdo veprim i pasluftës ka pasur antagonizma politikë, por jo në dëm të interesave kombëtare”, ka theksuar Cana.
Cana gjithashtu kritikoi Lëvizjen Vetëvendosje për mos koordinim me aleatët dhe për nxitjen e një diskursi antiamerikan për më shumë se 10 vite.
“Në asnjë moment nuk e kemi pas një elitë poltike duke taktizuar dhe duke pasur një mungesë të qartë të koordinimit me aleatë”, ka shtuar Cana.