Cana: Vëllaznimi do të rikthehet si skuadër e madhe
Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, priti të mërkurën presidentin e ri të klubit Vëllaznimi, Agim Cana, si dhe kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri.
Në këtë takim u diskutuan ndryshimet në organikën e ekipit kuqezi si dhe investimet që pritet të bëhen në të ardhmen. Gjini ka thënë se komuna është e interesuar që Vëllaznimin ta shndërrojë në shoqëri aksionare për çka, sipas tij, kanë nisur konsultimet ligjore që do ta përcaktojnë procedurën. “Komuna është e interesuar të heqë dorë dhe ta shndërrojë Vëllaznimin në shoqëri aksionare, pasi duke i dhënë dorë të lirë, mendojmë se e ndihmojmë më shumë. Ne kemi nisur konsultimet ligjore në mënyrë që të respektohet ligji dhe gjithçka të jetë transparente”, ka thënë Gjini, i cili ka shtuar se po pret me padurim të nisë puna e kryesisë së re dhe t’i shohë ndryshimet pozitive në klub.
Emërimin e Agim Canës në krye të Vëllaznimit, Gjini e quajti lajm të mirë për Gjakovën. “Dua të nis sa më shpejt puna dhe të mos diskutojmë më për rënie nga liga, por për trofe. Të rikthehet Vëllaznimi që të gjithë e kemi njohur e që e duam. Mendoj se emërimi i Canës në krye të Vëllaznimit është një i lajm i mirë për të gjitha aspektet për Gjakovën”, ka deklaruar Gjini.
Në fjalën e tij, presidenti i ri i Vëllaznimit, Agim Cana, u shpreh se qëllim parësor ka ta përmirësojë gjendjen e tanishme në klub, ndërsa shtoi se ditët e ardhshme do ta emërojë bordin e ri të klubit. “Në këto kushte që jemi do të shohim mundësi që ta rehabilitojmë klubin dhe të zgjidhim disa probleme. Hapi i ardhshëm do të jetë emërimi i bordit, pasi trajneri tashmë ka nisur punën”, ka thënë Cana.
I pyetur për të interesuar të tjerë për të investuar në klub si aksionarë, Cana u shpreh se për këtë do të flitet më vonë. Ai deklaroi se synon që klubi të ketë një organizim profesional dhe nëse gjithçka ecën sipas planeve, Vëllaznimi do të rikthehet si një skuadër e madhe. “Kur të ndryshohet statusi i klubit, atëherë do të flasim për aksionarë. Mendoj se do të ketë të interesuar. Qëllimi im i parë është të fusim pak profesionalizëm në klub, pasi futbolli është një fushë e gjerë dhe dua që gjërat t’i bëjmë siç duhet. Nëse gjithçka shkon sipas planeve, jam i sigurt se do të rikthehet Vëllaznimi si një skuadër e madhe dhe do të rikthehet euforia e tifozëve gjakovarë”, ka deklaruar ai.
Ndërsa kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, ka thënë se është i lumtur me ndryshimet e fundit në klubin kuqezi, ndërsa u shpreh se futbolli i Kosovës ka nevojë për një Vëllaznim të fortë. Ai njoftoi se me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës nëpër klube është paralajmëruar që në ditët e ardhshme të organizohet një takim i përbashkët me 12 kryetarët e komunave, Ministrisë së Sportit dhe FFK-së, ku do të marrë pjesë edhe kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini.