Çanak e Biserko në takim me Kurtin: Beogradi po planifikon t’i zhvendosë serbët e Kosovës në Sanxhak
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar të dielën me presidenten e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, politikanin serb, Nenad Çanak dhe drejtorin e Qendrës për Dialog Humanitar, Mark Baskin.
Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate thotë se Kurti është njoftuar nga ta që Beogradi po planifikon zhvendosjen e serbëve të Kosovës në Sanxhak.
Atyre, thuhet në komunikatë, po iu ndërtohen shtëpi dhe banesa, derisa nga Kurti u kërkua të përpiqet në parandalimin e kësaj.
“Gjatë takimit, Biserko, Çanak dhe Baskin e njoftuan kryeministrin se po flitet që Beogradi zyrtar po planifikon zhvendosjen e serbëve të Kosovës, sidomos atyre nga veriu, për në Sanxhak, ku siç po thuhet po ndërtohen shtëpi dhe banesa për ta. Ata apeluan te kryeministri Kurti që të përpiqet të parandalojë një skenar të tillë. Kryeministri Kurti ritheksoi rëndësinë e demokracisë, sundimit të ligjit dhe barazisë për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe posaçërisht përfshirjen e komunitetit serb në të gjitha aspektet e ekonomisë dhe shoqërisë”.
“Më tej, kryeministri i njoftoi mysafirët e tij për të drejtat që gëzojnë komunitetet joshumicë në Republikën e Kosovës, si dhe për përpjekjet që Qeveria po bën për rritjen e mundësive për këto komunitete në shumë fusha si arsimi, punësimi dhe siguria e tyre”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.
Në takim, Kurti u tha se ka falënderuar Biserkon, Çanakun dhe Baskin për angazhimin në ndëtimin e urave të paqes dhe bashkëpunimit.
Temë ishte edhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe në NATO, si dhe raportet mes Kosovës dhe Serbisë. |Reporteri