Çani prish kontratën me Partizanin, transferohet në Itali
23 gusht 2018
| 15:29
Edgar Çani është larguar zyrtarisht nga Partizani. Sulmuesi 29-vjeçar ka ndërprerë kontratën me të kuqtë, kundrejt një shume, e cila nuk është bërë ende publike.
Sulmuesi u bë pjesë e Partizanit përgjatë sezonit 2017-2018 por pa arritur të përshtatet duke rezultuar një dështim.
Më në fund mes palëve është gjetur marrëveshja për ta lënë futbollistin të lirë. “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht, se pas largimit nga Partizani Çani do të kalojë në Itali te skuadra e Viboneses, e cila militon në Serinë C.
Sulmuesi do të rikthehet kështu në futbollin italian, pas një sezoni për t’u harruar në Kategorinë Superiore. Lajmin për prishjen e kontratës e ka bërë publik edhe klubi kryeqytetas nëpërmjet njoftimit në faqen zyrtare.