Capello: Bale nuk e ka më prioritet futbollin
Ish-trajneri i Milanit, Romës dhe Real Madridit, Fabio Capello i tërheq veshin futbollistit madrilen Gareth Bale për nivelin e dobët të paraqitjes gjatë këtij sezoni.
Tekniku i njohur italian thekson për “Daily Mail” se uellsiani duket se nuk e ka më prioritet futbollin e luajtur dhe se e ka humbur totalisht fokusin nga ky sport.
“Përshtypja ime është se ai nuk e ka më prioritet futbollin. Bale duket se është shpërqendruar. E pëlqej shumë si futbollist dhe për cilësitë që ka për futbollin modern. Por, që të jesh kampion në ditët e sotme duhet të jesh i përqendruar 100% në jetën sportive”, deklaron Capello.
Prej dy sezonesh, Bale është kritikuar ashpër nga trajnerë dhe specialistë të futbollit, aq sa dhe tifozët e Realit kanë shprehur hapur pakënaqësinë kundër tij. 30-vjeçari nuk shënon që prej muajit tetor, periudha më e gjatë e “thatësirës” në karrierën e tij.