Caplan: Do të ketë presion mbi Kurtin për dialogun

12 prill 2021 | 13:58

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara do t’i bëjnë presion kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të nisë dialogun me Serbinë pa vendosur parakushte, ka thënë në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë”, Richard Caplan, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Oksfordit.

Ai nuk është optimist për ndonjë rezultat të shpejtë në dialog, për shkak të pozicionit aktual të palëve.

Madje, thotë se bazuar në situatën e tanishme, ekziston mundësia që dialogu të zgjasë pa fund, siç po ndodh në rastin e Qipros apo mes izraelitëve dhe palestinezëve.

“Pyetja është nëse do të ketë dialog. Mendoj se ka presion në (kryeministrin e Kosovës, Albin) Kurtin dhe në Serbinë që të rifillojnë negociatat. Mendoj se ka mundësi që të mbahen prapë, por nuk jam shumë optimist për rezultatin që mund të prodhojnë. Në fakt, Kurti ka ulur nivelin e pritjes, pasi ka sugjeruar se nuk është realiste të fokusohet në marrëveshjen përfundimtare, por të ketë fokusim në çështje siç është tema e të pagjeturve. Mendoj se ky është një drejtim ku mund të bëhet një lloj përparimi, por duke pasur parasysh natyrën dhe shkallën e mospajtimeve mes dy palëve, mendoj se do të jetë shumë e vështirë të lëvizet përpara në çështje më thelbësore”, ka thënë Caplan.

Në pyetjen se kryeministri Kurti insiston në disa parime që duhet përmbushur në mënyrë që të vazhdojë dialogu, ndër të cilat është edhe kërkimfalja nga Serbia dhe njohja e Kosovës?, Caplan është përgjigjur se Kosova duhet të shkojë në dialog pa parakushte. “Duke e ditur pozicionin e Kurtit dhe të partisë së tij, unë nuk jam i befasuar me këto parime. Ai iu thotë parime, por në të vërtetë ato janë parakushte. Unë mendoj se ju duhet të shkoni në dialog pa parakushte. Mendoj se është e rëndësishme që të fillohet, të ketë bisedime dhe dialog. Këto parakushte nuk do të plotësohen nga ana e Serbisë, pasi ky vend nuk do të pranojë Kosovën si shtet të pavarur, ashtu siç ka kërkuar Kurti”, ka thënë Caplan.

Ai në këtë bisedë ka folur edhe për pasojat në rast se të dyja vendet nuk do të angazhohen në dialog.

“Është ngecje dhe mendoj se kjo situatë mund të zgjasë pafund. Ju keni shembuj të situatave të tilla, për shembull negociatat në Qipro mes qipriotëve turq dhe atyre grekë. Negociatat e tyre po zgjasin me dakada. Pastaj, negociatat mes izraelitëve dhe palestinezëve, të cilat gjithashtu po zgjasin me dekada. Pra, nuk mund të përjashtohet mundësia që edhe ky dialog (Kosovë-Serbi) të zgjasë pafundësisht në të ardhmen. Megjithatë, mendoj se dallimi në këtë rast është se do të ketë shumë presion ndaj palëve që të shënojnë përparim. Një aspekt për të cilin të gjithë shpresojnë se mund të bëjë dallimin është anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Evropian, dhe kushti ndaj saj që të normalizojë marrëdhënien me Kosovën. Kjo mund të ishte një pikë kthese. Por, për momentin kur shikoj të ardhmen, nuk jam shumë optimist”, ka thënë Richard Caplan, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Oksfordit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mesfushori i Juventusit, Rodrigo Bentancur, beson se ende ka mundësi…