Cardiffi nuk do të paguajë asnjë qindarkë për Salan
Klubi anglez i Cardiff Cityt ka ripërsëritur për disatën herë vendimin që ka marrë në lidhje me transferimin e Emiliano Sala nga Nantes se nuk do të paguajë asnjë cent. Argjentinasi i cili në moshën 28-vjeçare humbi jetën tragjikisht në një aksident ajror më 21 janar të këtij viti është kthyer në një mollë sherri mes dy klubeve.
Në total operacioni do t’i kushtonte Cardiffit 17 milionë euro, plus bonuset. Një situatë tragjikomike, ku të dyja palët kanë pretendimet e tyre, në njërin krah anglezët nuk duan që ta derdhin shumën në arkat e francezëve, ndërsa këta të fundit pretendojnë të kundërtën.
Sipas asaj që raportojnë mediet britanike, drejtuesit e Cardiffit kanë njoftuar drejtues të FIFA-s rreth vendimit që ata kanë marrë, me arsyetimin se transferimi i Salas nuk ka qenë i regjistruar zyrtarisht dhe, gjithashtu, i kanë bërë me dije se drejtuesit e Nantes kanë refuzuar në mënyrë të përsëritur ftesën e tyre për të diskutuar rreth kësaj çështjeje. Një çështje që pret zgjidhje dhe që ende nuk dihet se kur do të përfundojë.