Caritas-i zviceran përkrah prodhimtarinë bujqësore në Mitrovicë
Drejtori për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në Komunën e Mitrovicës, Ekrem Sadiku, ka pritur në takim përfaqësuesit nga Caritas-i zviceran, Nderim Pasuli dhe Veton Rruka, me të cilët ka biseduar për bashkëfinancimin rreth promovimit të prodhimtarisë bujqësore në Mitrovicë, ngritjes së sipërfaqeve të kultivuara dhe certifikimin e fermerëve.
Të pranishëm në këtë takim ishin edhe nënkryetari i Lidhjes së Bletarëve të Kosovës, Zymber Bajraktari, si dhe zyrtarët komunalë, Bedri Sadiku dhe Hysnije Mikullovci. Qëllimi i këtij takimi ishte të prezantohej projekti i Caritas-it zviceran “Prosperitetit i prodhimtarisë agrare në komunat e Kosovës nga investimet e qëndrueshme rurale- Pasuri”, duke synuar në përmirësimin e kushteve jetësore të fermerëve, rritjen e gjenerimit të hyrave dhe prodhimin bujqësor në komunën e Mitrovicës.
Përmes këtij projekti po ashtu synohet promovimi dhe prodhimi i frutave malore, mjaltit, bimëve mjekësore dhe frutave aromatike, certifikimin e fermerëve me standardet organike të prodhimit për kultivuesit e BMFA, edukimin, trajnimin dhe ngritja e vetëdijes së fermerëve për prodhimtarinë bujqësore si dhe themelimin e zinxhirit të vlerave për kultivuesit.
Drejtori për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Ekrem Sadiku, fillimisht ka falënderuar të pranishmit për iniciativën që e kanë ndërmarrë ata duke e cilësuar këtë bashkëpunim të ndërsjellët dhe të frytshëm për fermerët mitrovicas.
Ai ka theksuar se falë projekteve të tilla të cilit janë realizuar dhe po vazhdojnë të implementohen tek fermerët mitrovicas ka ndikuar dukshëm në rritjen e cilësisë interesimit të fermerëve për t’u marrë me bujqësi.
Ky projekt pritet të realizohet me participim të përbashkët, ku Caritas-i zviceran do të financojë 50 për qind, Komuna e Mitrovicës 35 për qind dhe fermeri 15 për qind.
/Epoka e re/