Carlo Cottarelli, mandatar për formimin e Qeverisë së Italisë
Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, ka kërkuar nga ish-ekonomisti i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Carlo Cottarelli, të formojë Qeverinë, në kohën kur ky vend po përballet me krizë politike.
Cottarelli është bërë i njohur si “Zotëri Gërshëra” për shkurtimet e shpenzimeve publike në Itali.
Emërimi i tij është bërë pasi përpjekjet e dy partive populiste në Itali për të formuar Qeverinë e koalicionit, kanë dështuar.
Emërimi, megjithatë, shihet si masë e përkohshme deri në zgjedhje të reja.
Italia, ekonomia e katërt më e madhe në Eurozonë, është pa Qeveri qysh nga zgjedhjet e marsit, pasi asnjë grup politik nuk ka mundur të formojë shumicën.
Dy fituesit e mëdhenj të zgjedhjeve, Pesë Yjet dhe Liga, kanë bërë përpjekje t’i bashkojnë forcat, por i kanë braktisur ato pasi presidenti i ka vënë veto zgjedhjes së tyre për ministrin e Financave.
Veprimi i rrallë nga presidenti i ka zemëruar të dyja palët, të cilat kanë thënë se do të refuzojnë emërimin e Cottarellit në parlament.
Nëse kjo ndodh, Cottarelli ka thënë se do të japë dorëheqje dhe se zgjedhjet e parakohshme do të mbahen pas gushtit.