Carmelo Anthony i bashkohet Houstonit
Carmelo Anthony është zyrtarisht lojtar i Houston Rocketsit. Ish-lojtari i Oklahoma City Thunderit ka nënshkruar kontratë njëvjeçare ku do të përfitojë 2.4 milionë dollarë.
Gjithashtu, është përfolur shumë për rolin që Melo do të ketë në fushë, nëse ai do ta nisë ndeshjen në pesëshen e parë ose nga stoli, por çdo gjë do të varet nga trajneri Mike D’Antoni.
Vetë D’Antoni kur u pyet nga disa gazetarë lidhur me këtë çështje tha se Anthony është i hapur për të dyja rolet. Kjo marrëveshje është përfolur se është arritur prej më shumë se 1 muaji, e me shkëmbimin që Thunderi bëri me Atlanta Hawksin gjithçka dukej e konfirmuar, pasi dhe Hawksi e hoqën lojtarin nga skuadra duke i paguar 25 milionë dollarë. Në 1054 ndeshje të luajtura në karrierë, Melo ka startuar në secilën prej tyre, e për këtë arsye në të shkuarën pati deklaruar se nuk ndihej i sigurt nëse do të mund ta pranonte të futej gjatë ndeshjes. 34-vjeçari po i bashkohet një ekipi si Rockets, i cili në sezonin e shkuar fitoi 65 ndeshje, duke humbur në finalen e konferencës kundrejt kampionëve të Golden State Warriorsit. Në grup ai do të gjejë MVP e kampionatit 2017-2018 James Harden dhe një nga miqtë e tij më të mirë, organizatorin Chris Paul.