Carmelo Anthony përforcon Houstonin
Carmelo Anthony do të jetë lojtari më i ri i Houston Rocketsit. Ish-lojtari i New York Knicksit pritet të nënshkruajë për një vit e do të përfitojë 2.4 milionë dollarë.
Nëse nuk ka pengesa të tjera gjatë rrugës, Anthony do të jetë pjesë e një ekipi që vjet për pak sa nuk preku finalen e madhe të NBA-s, pasi u mund në serinë finale të Perëndimit 4-3 nga Golden State Warriors. Ajo çfarë shqetëson tifozët e Rocketsit është se sa do të jetë i aftë 34-vjeçari të përshtatet në një skuadër ku nuk është pika e referimit në sulm.
Në sezonin që lamë pas ai pati paraqitjen më të dobët në karrierë me Oklahoma City Thunderin, duke shënuar një mesatare prej 16.2 pikësh për ndeshje.
Gjithsesi, mjaft i entuziazmuar është dukur “ylli” i ekipit të Houstonit, James Harden, kur u pyet për afrimin e mundshëm të Melos në skuadër: “Do të jetë një blerje shumë e mirë për ne. Përvoja e tij është e madhe e në këtë pikë të karrierës së tij ai ka shumë dëshirë të fitojë. Përveç kësaj, edhe ekipi aktual është i fortë dhe kemi dëshirë të ecim përpara. Melo do të na ndihmonte shumë në lidhje me këtë”.