Casillas: Gabova që nuk u përballa me Mourinhon
Ish-portieri i Real Madridit, Iker Casillas, nuk kishte marrëdhënie të mirë me ish-trajnerin e tij, Jose Mourinhon, dhe tani spanjolli ka bërë me dije se ai është penduar që nuk ishte përballur drejtpërdrejtë me trajnerin në atë kohë.
Portieri e humbi vendin në formacion të parë në gjysmë të sezonin 2012/2013, kur në vend të tij filloi të luante Diego Lopezi.
“Ai u soll këtu për të garuar me Barcelonën dhe solli me vete një situatë shumë të tensionuar që nxori në sipërfaqe madridizmin që nuk më pëlqeu asnjëherë. Ai e kaloi një limit me mua, por unë nuk e dëshirova kurrë një gjë të tillë. Viti i tretë nuk ishte aspak i mirë, edhe pse e fituam titullin e La Ligës, por kishte shumë njerëz me të cilët ishin shkatërruar marrëdhëniet. Nuk ishte një situatë e mirë as për të, as për mua e as për klubin”, ka thënë Casillas. “Mendoj se nëse do të isha kthyer në kohë, do të isha përballur me Mourinhon. Por, atëherë, vendosa që të rri i heshtur dhe mendova se kjo ishte mënyra e vetme për t’i nderuar vlerat e Real Madridit”, ka shtuar portieri Casillas.