![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2018/09/casillas.jpg)
Casillas pensionohet nga futbolli
Portieri spanjoll Iker Casillas ka njoftuar në rrjetet sociale se ka varur këpucën në gozhdë pas përfundimit të sezonit me Porto, pavarësisht se nuk ishte në gjendje të luante asnjë ndeshje për shkak të problemeve të zemrës që pësoi sezonin e kaluar.
“Gjëja e rëndësishme është rruga që ju udhëtoni dhe njerëzit që ju shoqërojnë, jo destinacioni që ju merrni, sepse ai me punë dhe përpjekje vjen vetëm dhe mendoj se mund të them, pa hezitim, se ka qenë rruga dhe destinacioni i ëndrrave”, ka shkruar Casillas në “Twitter”.
Portieri legjendar tërhiqet nga futbolli duke lënë gjurmë të mëdha, sidomos me ekipin e Real Madridit dhe kombëtaren e Spanjës. Ai fitoi pothuajse çdo trofe të mundshëm, plot 26, si në nivelin ekipor, po ashtu edhe ndërkombëtar, përfshirë Ligën e Kampionëve, Kupën e Botës e shumë trofe të tjerë individualë si portieri më i mirë.