Çaushi: Ka disa muaj që Haradinaj nuk po merret me problemet e qytetarëve
Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Driton Çaushi, ka sjellë në vëmendje edhe një herë problematikën e mishit që importohet në Kosovë.
Çaushi ka thënë se rekomandimet e nxjerra nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, për trajtimin e kësaj problematike po injorohen nga kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj.
Sipas tij, ka 3 muaj që Haradinaj nuk po merret me probleme të cilat prekin jetën e qytetarit të Kosovës.
Reagimi i plotë:
Po bëhen gati tre muaj nga shpërthimi i skandalit të mishit të importuar në Kosovë dhe alarmimit të opinionit publik në Kosovë për nivelin e sigurisë së ushqimit.
Bazuar në konfiskimet e vazhdueshme nga inspektoriatet komunale të produkteve të rrezikshme për konsumatorin, kam bindjen e plotë se vendi vazhdon të jetë në një situatë alarmante sa i takon sigurisë së shëndetit publik.
Kuvendi i Kosovës, pas një debati parlamentar, më 26.04.2018, doli me rekomandime konkrete për trajtimin e kësaj situate emergjente, përfshirë edhe marrjen e masave nga Kryeministri i Kosvës ndaj bordit dhe menaxhmentit të Agjensionit të Ushqimit dhe Veterinës, si institucion përgjegjës për situatën e krijuar dhe institucion në kuadër të zyrës së Kryeministrit.