Cavani eliminon Ronaldon dhe Portugalinë nga Kupa e Botës
Leo Messi dhe Cristiano Ronaldo i thonë lamtumirë Kupës së Botës brenda një dite.
Pas disfatës së argjentinasit ndaj Francës, tani e ka radhën Ronaldo të përshëndesë Botërorin dhe të shkojë me pushime. Uruguai ka mposhtur Portugalinë 2-1, me shumë fat, dëshirë dhe një mbrojtje të hekur. Pa harruar lojtarin e ndeshjes Edison Cavani.
Megjithëse ishte Portugalia ekipi më i mirë i minutave të para, Edison Cavani zhbllokon rezultatin në minutën e 7’ falë një krosi të përsosur të Luis Suarez. Që pas golit, uruguaianët rreshtohen akoma më thellë në prapavijë dhe presin portugezët të sulmojnë. Por aksionet e tyre thyhen kollaj dhe duhej pritur minuta e 55’ e pjesës së dytë për të parë më në fund barazimin me golin e Pepe me kokë, raporton “Telesport”.
Ky ishte goli i parë i pësuar nga Uruguai në Kupën e Botës. Por barazimi zgjati shumë pak minuta, pasi Edison Cavani godet përsëri, këtë herë me një goditje fantastike teknikisht në hyrje të zonës. Pak më pas ai duhet të dalë jashtë loje pas një dëmtimi që duket se është muskulor. Portugalia sulmon, Uruguai mbron me shumë forca, ky është imazhi i kësaj ndeshjeje, që vazhdon edhe në minutat e fundit.