Çavusoglu, Kurtit: Turqia nuk do të lejojë që Ballkani të kthehet në vitet e errëta të ’90-ta
Kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë, Mevlut Çavusoglu.
Republika e Turqisë është partner, mik dhe aleat i madh i Republikës së Kosovës, tha kryeministri Kurti, ndërsa shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme dhënë vendit tonë.
“Ministri Çavusoglu theksoi mbështetjen e Republikës së Turqisë për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, sikurse edhe për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Ai tha se Turqia e mbështet anëtarësimin e vendit tonë në Këshillin e Evropës dhe se Kosova është vend partner i NATO-s. Po ashtu, theksoi se Republika e Turqisë e ka shumë të rëndësishme paqen dhe stabilitetin dhe se nuk do të lejojë që rajoni i Ballkanit të kthehet në vitet e errëta të ’90-ta”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Çavusoglu poashtu vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale, rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe të investimeve.
Duke potencuar stabilitetin institucional dhe indikatorët pozitiv ekonomik, kryeministri Kurti ritheksoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për nxitjen e investimeve nëpërmjet zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik e social, dhe luftimit të krimit dhe korrupsionit.
Ai veçoi synimin e Kosovës për anëtarësim në Partneritetin për Paqe të NATO-s ndërsa theksoi mundësitë për rritje të bashkëpunimit në mbrojtje dhe siguri.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit në takim u diskutua për shumë fusha të bashkëpunimit në ekonomi, energji, siguri dhe mbrojtje. U vlerësuan lidhjet e shumta mes dy vendeve, duke veçuar ato mes qytetarëve, që janë një urë për marrëdhëniet e forta dypalëshe.
Çavusoglu nga ana e tij përmes një postimi në Twitter tha se me Kurtin biseduan rreth bashkëpunimit mes Qeverisë së Kosovës dhe të Turqisë.
“Diskutuam modalitetet për ta avancuar bashkëpunimin tonë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin. Theksova kërcënimin që paraqet organizata terroriste e FETO-s”, shkroi kryediplomati turk.