Ç’bënë Akademitë tona për Festën e Flamurit?
Shkruan: Agron Hoti
A thua ua ndalonte kush Akademive të Shkencave të Shqipërisë dhe Kosovës që të organizonin dje një Tryezë të Rrumbullakët mbi çështjen shqiptare në këtë botë të rirreshtimeve, riorganizimeve e ridinamizimeve?
Po herave tjera ua ndalonte kush? Nuk është turp të projektosh të ardhme, përkundrazi është nder e krenari dhe për më tepër nevojë kombëtare. Kombet e ndryshme bëjnë të pamundurën për zhvillim e konsolidim të mëtejmë, ndërkohë që ne flemë. Pse quhemi atëherë shqiptarë? Pse kur shkojmë nëpër kombe të ndryshme mbesim gojëhapur ndaj të arriturave të tyre, ndërkohë që sapo kthehemi në shtëpi futemi në agoni.
Nëse edhe Akademitë flenë para nevojave aq të shumta kombëtare, atëherë kush u dashka të projektojë të ardhme? A s’u bënë Akademitë për të dhënë orientime kombëtare për vendet e tyre, nga taksat e të cilave edhe marrin pagë? Nuk ka qëllim më madhor e më fisnik sesa t’i trasosh rrugën kombit tënd, ndërkohë s’ka asgjë më të turpshme sesa të flesh gjersa të tjerët ecin me ritme të papara mu para hundës tënde.
Sa shqiptari i mirëfilltë akademik bredh nëpër botë, pse kurrë akademitë tona bashkë me universitetet s’i kanalizojnë këto kapacitete apo arsenal të pashfrytëzuar kombëtar? Pse duhet që për Festën e Flamurit të flasë veç politika? Pse nuk mblidhen asnjëherë Akademitë, Muzetë Kombëtarë, Teatrot, Universitetet, Kultura e Sporti? Pse nuk ka aktivizim shkencor, kulturor, artistik e sportiv për të dhënë projeksione aq të nevojshme kombëtare? Fundja sa më shumë mobilitet mes nesh aq më shumë shpenzim parash dhe zhvillim ekonomik.
A nuk po jetojmë në shekullin e mundësive, të dijes dhe prosperitetit të paparë global? A s’është misioni i akademive dhe universiteteve për t’i dhënë rrugë kombit? A mos po presin akademitë tona që bujqit apo blegtorët të organizojnë simpoziume shkencore për çështje kombëtare, ndërsa punën e bujqëve e blegtorëve ta kryejnë akademitë? Ndryshe nuk mund të shpjegohet kjo përgjumje. Pse tërë kjo agoni? Shumë më shumë është bërë punë për çështje kombëtare gjatë komunizmit kur ideologjia dhe pushtimi na rrinin mbi kokë sesa sot? Ky është absurd!
Nuk përulesh e nënçmohesh nëse i shërben kauzës kombëtare. Intelektualët, nëse vërtetë janë të tillë, janë pikërisht për këtë punë, për të projektuar të ardhme, përndryshe cili është kuptimi i të qenit intelektual? Vetëm sa për të marrë një pagë?!
Pse gjithmonë të ngelemi duke i lavdëruar të tjerët?! Ç ‘është kjo ndjenjë inferioriteti?! A s’është fyerje e poshtërim kjo përgjumje jona karshi të rënëve të panumërt për liri, të cilën të gjithë po e gëzojmë sot e që s’e kishim dje?!