Çdo gjë gati për IHF Trophy
Federata e Hendbollit e Kosovës dhe kryeqendra e Kosovës do të jenë nikoqirë të një tjetër ngjarjeje të rëndësishme të hendbollit. Prej të mërkurës (nesër) e deri të dielën në Prishtinë mbahet kampionati IHF Trophy për zonën evropiane, për hendbollistet e reja (U17) dhe ato juniore (U19).
Fituesit e zonës evropiane kualifikohen për IHF Trophy interkontinentale, ndërsa fituesi i fazës interkontinentale kualifikohet në Botëror. Pra është një mundësi e artë për Kombëtaret U19 dhe U17 të Kosovës.
Federata e Hendbollit e Kosovës i ka bërë të gjitha përgatitjet për rrjedhë të duhur të kësaj ngjarjeje. Ndeshjet zhvillohen në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë.
Zyrtarët e ndeshjeve tashmë janë në Prishtinë, ndërsa po vijnë gradualisht edhe ekipet kombëtare. FHK-ja pret të rikonfirmohet edhe një herë si nikoqire shembullore.
Te të rejat (U17), pos Kosovës garojnë edhe Shqipëria, Azerbajxhani, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Britania e Madhe dhe Gjeorgjia. Grupin A e përbëjnë Kosova, Azerbajxhani dhe Bullgaria. Në Grupin B janë Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Britania e Madhe dhe Gjeorgjia.
Te junioret (U19) garojnë Kosova, Bullgaria, Britania e Madhe dhe Malta.
Të mërkurën (nesër), në ditën e para të garave, te grupmosha U17 janë ndeshjet: Bosnjë-Hercegovina – Gjeorgjia (11:00), Shqipëria – Britania e Madhe (13:00), Kosova – Azerbajxhani (17:00).
Ndërkohë te Kombëtaret U19, ndeshjet e së mërkurës janë: Britania e Madhe – Malta (15:00) Bullgaria – Kosova (19:00).
Ceremonia hapëse është të mërkurën nga ora 18:40.
Tifozët me praninë e tyre pritet ta madhështojnë këtë ngjarje me rëndësi për FHK-në dhe hendbollin kosovar në përgjithësi.