Ç’doni ju, shqiptarët e serbizuar dhe të kosovarizuar?!
Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA
Kush po na mbron, kush po na mbron: Edi Rama ishte shpresa e shqiptarëve kudo që jetonin ata se, më në fund, po del dikush që ka kapacitet intelektual, moral, kombëtar dhe politik t’i përfaqësojë dhe mbrojë interesat e tyre. Me një oratori që tejkalonte standardet shqiptare dhe, në shumë raste, edhe ndërkombëtare, me një shpirt artisti apo bohemi, me një intelektualizëm të theksuar, me një opozitarizëm që për atë kohë ishte përtej çdo imagjinate te shqiptarët, me një prirje dhe me një vullnet ta mbrojë ambientin duke e pastruar Tiranën nga mbindërtimet dhe lokalet që e ngufasnin çdo hapësirë gjelbëruese apo mushkëritë për qytetarët, me ndryshimin e fytyrës së Tiranës duke i shndërruar fasadat e zymta në një hapësirë me ngjyra që pushonin sytë, me një qëndrim atëror apo paternalist për shqiptarët që jetonin jashtë kufijve të Shqipërisë si dhe me një qëndrim të fortë ndaj agresionit verbal dhe praktik të shovinistëve serbë të Serbisë përfitoi zemrat e të gjithë shqiptarëve, përjashtuar këtu Sali Berishën dhe Lul Bashën. Edvin Ramën e ka përkrahur në çdo aspekt edhe Abetarja dhe Akademia Kombëtare, Bacë Adem Demaçi, ndonëse po ky Edi Rama, kur vinte në Prishtinë, por edhe në Tiranë, gjente kohë të takohej me rrugaçë ordinerë që sot po e sulmojnë si dhe të tillë që kanë qenë pjesë e Serbisë në institucionet e Kosovës e që kanë përrallisur në gjuhën shqipe dhe të cilët në jetën e tyre nuk e kanë lexuar as edhe një libër të vetme dhe as që e dinë se sa shkronja i ka alfabeti i gjuhës shqipe, mirëpo nuk ka gjetur kohë ta vizitojë asnjëherë Bacë Adem Demaçin. Një ndër intelektualët më të mëdhenj të shqiptarëve, kudo që jetojnë, Rexhep Qosja e ka përkrahur me patos të jashtëzakonshëm Edi Ramën, kam përshtypje, më shumë për inat të Sali Berishës sesa që është bindje e besimit. Dihet mirëfilli se proceset e mëdha botërore janë vënë në lëvizje, jo sa libra keni shkruar, por sa keni aftësi oratorike për t’i thënë si duhet dhe në vend ku duhet disa citate të një libri të cilin nuk e keni lexuar të tërin. Këtë aftësi e ka, pa asnjë dyshim, edhe Edi Rama që superioritetin e tij e keqpërdori edhe në Kosovë, duke i bërë përrallë disa gazetarë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile, servilë të të gjitha garniturave të pushtetit në Kosovës dhe rrogëtarë të ndërkombëtarëve. Edi Rama në Kosovë vetëm po e përkrah Besa Shahinin që e bëri ministre dhe Genca Cakajn që nuk arriti ta bëjë ministër, ndonëse deklaron se ka lexuar më shumë libra se të gjithë ata që po e kritikojnë Ramën dhe që po e kundërshtojnë emërimin e Genc Cakajt, ministër për Punë të Jashtme dhe Evropën. Do të isha shumë subjektiv dhe i padrejtë nëse harroj ta përmend edhe presidentin aktual të Kosovës, Hashim Thaçin, që e gëzon përkrahjen 100 % të Edi Ramës për faktin se presidenti ynë është intelektual i kalibrit të jashtëzakonshëm dhe se ka lexuar më shumë libra se Genc Cakaj + Besa Shahini dhe Edi Rama e mos ta përmendim këtu injoranten që e kritikojnë presidentin Thaçi e që paskan lexuar një numër simbolik të librave, disa mijëra sosh. Pastaj, presidenti ynë është poliglot që ia kalon edhe të ndjerit Haxhi Merxha që thoshte se i fliste shtatë gjuhë, në mesin e tyre edhe gjuhën italiane. Kur e pata pyetur Haxhi Merxhën se sa e flet gjuhën italiane dhe rregullat e shkrimit të fjalëve addio dhe arrivederci, ai, në një copë letër shkroi, adijo dhe arivederqi, ashtu si i shqiptonte. Fondi i tij ishte simbolik, por me bindje i mbronte sikur të ishte pasardhës i Dante Aligerit.
Edi Rama, me përkrahjen që ia bën presidentit Thaçi për korrigjim të kufijve dhe me cilësimin se janë gomarë të gjithë ata që dyshojnë në përcaktimin dhe përmbajtjen patriotike të Hashim Thaçit, po tregon se është mashtrues dhe manipulues ordiner. I ka mashtruar të gjithë, madje edhe mua që e kam përkrahur deri vonë, ndonëse njohësit e rrethanave politike, e sidomos të jetës rozë në Shqipëri, e që të tillë ka shumë, bënin përpjekje të më bindnin se Rama është si doktor Xhekili, është person me dy a më shumë fytyra dhe se patriotizmin e përdor si armë për idealistët dhe budallenjtë që besojnë në bashkim kombëtar, si puna ime dhe të tjerët. Ata për Ramën jepnin edhe cilësime psikologjike dhe psikiatrike e që për mua, në mungesë të kompetencës, ishin të papranueshme. E them publikisht se midis Sali Berishës dhe Edi Ramës nuk kam pasur asnjë dyshim se kë duhet ta përkrah: Edi Ramën, pa asnjë dyshim. Gabim, sepse duket se në përmbajtje nuk dallojnë asgjë, dallojnë vetëm në formatin dhe dukjen e lëkurës me të cilën janë pështjellur. Me një fjalë, pamja ndryshon, përmbajtja thuaja është e njëjtë apo, siç thoshte Xhaxhi Enver i disa shokëve të mi kur eliminonte kundërshtarët politikë: dalin të jenë karrieristë të qelbur! Edhe Berisha, edhe Edi Rama! Duke përkrahur Hashim Thaçin për korrigjim të kufijve, Edi Rama nuk dallon aspak nga politika e Beogradit dhe e Serbisë! Edi Rama është mospërfillës dhe i fyen të gjithë ata që e kundërshtojnë Edin si dhe vartësitë e tij. E sidomos ata që nuk thonë se presidenti Hashim Thaçi është Xhorxh Uashingtoni i Kosovës. Ia bëri një injorim publik edhe kryeministrit të Kosovës kur ky theksoi se nuk pranon kurrë që çështja e kufijve të jetë temë e bisedimeve apo pjesë e marrëveshjes. Së fundi e sulmoi edhe Edita Tahirin shkaku se ka përkrahur presidentin Meta i cili nuk e dekretoi Genc Cakaj, kotillën politike të Batonit dhe të Thaçit si dhe të Ramës për ministër të Jashtëm të Shqipërisë. Në mos asgjë tjetër, Edita Tahiri, krahasuar me Genc Cakajn, ka përparësi sepse i njeh më mirë rrugët e Brukselit, butikët ekskluzivë në Bruksel si dhe itinerarin e fluturimeve Prishtinë – Bruksel. I ka bërë do fusnota dhe yje që u mbijetuan edhe temperaturave të larta dhe nuk u shkrinë: “si një fjollë bore”, por tash fuqishëm po kundërshton korrigjimin e kufijve! Nëse e ka sinqerisht?!
A duhet të pushkatohet presidenti Ilir Meta?!: Kurrë nuk kam qenë në dashuri të madhe me Ilir Metën i cili në politikën shqiptare e luajti lojën e një king makeri, prandaj asnjëherë nuk mbeti pa poste. Duket se as Ilir Meta nuk është në dashuri të madhe me Edi Ramën, kryeministër i Shqipërisë, me pretendime të jetë edhe baba i shqiptarëve, kurse për trashëgiminë politike të Ismail Qemalit po bën rivalitet me Hashim Thaçin, president i Kosovës deri në vitin 2019. Ilir Meta është president i Shqipërisë dhe mbi të është vetëm Kushtetuta e Shqipërisë e cila ia jep autorizimet që i takojnë si president dhe për të cilat ka ekskluzivitet. Një ndër të është edhe dekretimi apo mosdekretimi i ministrave të propozuar nga kryeministri i Shqipërisë, në rastin konkret nga Edi Rama. Edi Rama propozoi dy kandidatë nga Kosova: Besa Shahinin dhe Genc Cakajn. Besa Shahinin e dekretoi pas sqarimeve plotësuese, kurse dekretimin e Genc Cakajt e refuzoi e që shkaktoi valë reagimesh “vullkanike” nga autoritetet e mëdha kombëtare (nuk e di cilit komb), Baton Haxhiu dhe vetë Edi Rama. Baton Haxhiu i dërgoi një letër presidentit të Shqipërisë me të cilin e denoncon se bën gabim historik nëse nuk e dekreton Gencin e që letra, si për nga përmbajtja dhe adresimi, dukej si komunikim rrugaçësh e jo një midis një “intelektuali” dhe një presidenti. Ilir Meta ka plotësisht të drejtë që e ka refuzuar dekretimin e Genc Cakajt shkaku se nuk e plotëson asnjë kusht për atë post me përgjegjësi. Arsyetimi i refuzimit është i mbuluar 100 % me fakte profesionale, politike, kombëtare, morale dhe shtetërore. Pohimi i Edi Ramës, se Genci paska lexuar shumë libra, është i parëndësishëm për faktin se ministri për Punë të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli, jo që ka lexuar shumë libra, por edhe ka shkruar shumë libra! Edi Rama nuk ka pse të kërkojë falje Kosovës që presidenti Ilir Meta, me plot të drejtë dhe mbështetur në Kushtetutën e Shqipërisë, nuk e paska dekretuar pjellën politike të Batonit, Hashimit dhe Edit për ministër të Shqipërisë, aq më parë që askush në Kosovë nuk e çanë prapanicën për këtë mosdekretim, përveç treshit të keq, Batonit, Hashimit dhe Edit. Pastaj, a nuk paska në Shqipëri njerëz më të zotë që do të udhëhiqnin këto ministri dhe u dashka të importohen nga Kosova, autorët e të cilëve duan të krijojnë një identitet të paqenë kombëtar – identitetin kosovar dhe të gjithë ata që janë angazhuar dhe angazhohen për bashkim kombëtar i kanë pushkatuar publikisht. Nëse këta dy persona qenkan aq të zotë, pse atëherë nuk janë bërë ministra në Qeverinë e Kosovës kur Kosova ka aq shumë nevojë për kapacitete të tilla! Genc Cakaj nuk mund të llogaritet viktimë e as i manipuluar por, thjesht, lakmia ia mundi prandaj, në moshë aq të re ka shfaqur ambicie karrieriste duke pranuar edhe korrigjimin e kufijve për këtë edhe është propozuar nga Baton Haxhiu i cili, me harta në duar, si Magelani dhe Amerigo Vespuqi, po tregon kufij të rinj të Kosovës për mbrojtjen e të cilëve nuk e ka derdhur as edhe një pikë djersë! Edi Rama i ka borxh Kosovës, Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve që po e përkrah lojën e rrezikshme të Thaçit për korrigjim të kufijve, madje po bëhet edhe promotor i këtij preludi për një luftë të re në Kosovë dhe Ballkan! Edi Rama ka deklaruar se do të vazhdojë këtë përvojë me emërimin e ministrave në Qeverinë e Shqipërisë nga vendet e tjera dhe mos u habitni nëse nesër Ivica Daçiqin e propozon ministër të Brendshëm të Shqipërisë. Genc Cakaj u bë marionetë e Batonit dhe Hashimit, personave më të rrezikshëm dhe më të dëmshëm sot në Kosovë! Prandaj, e mori atë që e ka merituar, e përdorën dhe e hodhën aty ku e ka vendin! Nuk e kuptoj me çfarë të drejte kosovarët që kanë hequr dorë nga identiteti kombëtar shqiptar e urdhërojnë presidentin Meta të dekretojë ministra sipas parimit posta e porositur!
Argumenti kundër Besa Shahinit, se qenka mbesa e ish-udbashit, Ibush Kllokoqit, për mua është i ulët dhe i papranueshëm për faktin se Besa Shahini nuk ka përgjegjësi (kurrfare) për veprimet antikombëtare, kriminale dhe krimet e shumta që i ka bërë Ibush Kllokoqi ndaj veprimtarëve politikë dhe kombëtarë në Kosovë. Nëse Besa Shahini do t’i mbronte krimet e Ibush Kllokoqit, udbash kriminel, atëherë do të kishim tjetër situatë. Me një fjalë, secili e bartë kryqin e veprimeve që i ka bërë dhe përgjegjësia për krime nuk është se i lihet dikujt si trashëgimi. Duhet qartë të bëjmë prerjen midis kriminelit dhe atij që është në lidhje familjare me kriminelin, por se nuk shkon hapave të tij. Në fund të fundit, çka janë më të mirë disa këshilltarë të presidentit Thaçi dhe udhëheqësve të tjerë, se Besa Shahini?! Janë më të këqij, shumë më të këqij!
Nuk pajtohem, gjithashtu, se Baton Haxhiu të quhet spiun dhe bashkëpunëtor i UDB-së sepse për këtë nuk ka fakte të mjaftueshme. Do të thosha që Batoni e ka një të kaluar të pasqaruar që lë dyshime të shumta për të, prandaj është dashur të miratohet Ligji për Lustracion të figurave publike. Një takim me Stanishiqin nuk është rast i vetëm kur dikush është takuar me pushtetarët serbë! Sot keni bashkëpunëtorë të Arkanit e që janë në poste të larta në sferën më të ndjeshme, atë të sigurisë. Është fakt se Batoni ka notuar mirë dhe me sukses në të gjitha regjimet dhe përfitimet eventuale që mund t’i ketë fituar nga Stanishiqi (nuk kam fakte) janë të papërfillshme përballë përfitimeve që i ka fituar nga Thaçi, Rama dhe biznesmenët tajkunë dhe të pamoralshëm në Kosovë dhe Shqipëri. Dhe, nuk është i vetmi.
Nuk pajtohem që as presidenti Hashim Thaçi të quhet kriminel sepse nuk kemi asnjë vendim gjyqësor në Kosovë dhe në ndonjë shtet tjetër të botës që e dëshmon këtë. Pajtohem se është i dëmshëm dhe paraqet rrezik politik për Kosovën, por edhe këtu mund të gaboj. Çka nëse Hashim Thaçi e merr krejt Luginën e Preshevës dhe nuk i jep asgjë Serbisë. Ku do të mbetemi ne atëherë?! Ndoshta Hashim Thaçi ka vendosur t’i bashkojë të gjitha tokat shqiptare, Nishin, Luginën, Manastirin, Ohrin, Çamërinë, Ulqinin, Plavën e Gucinë, pjesën shqiptare të Maqedonisë, pjesën ilire të Italisë dhe Dalmacisë e mos të flasim për Çamërinë. Definitivisht, Hashim Thaçi është manipulues dhe shumë i dëmshëm. Atij nuk i interesojnë kufijtë e Kosovës, por i intereson kostumi që do ta veshë në Uashington kur ëndërron ta nënshkruajë marrëveshjen me Vuçiqin, në prani të presidentit Tramp, i cili, në Amerikë, po hetohet për lidhjet e ngushta me Rusinë dhe Putinin. Hashim Thaçi është verbëruar nga shkëlqimi i reflektorëve dhe kamerave dhe fakti i të bërit pjesë e historisë edhe me çmimin se ia kanë nënën Kosovës nuk i bënë përshtypje fare. Për këtë e përdor si zëdhënës Baton Haxhiun, njeriun që nuk e do askush në Kosovë e as në Shqipëri, përveç Shkullakut dhe të ngjashmëve. Nuk është me rëndësi ku Hashim Thaçi e nënshkruan marrëveshjen, por përmbajtja e marrëveshjes së nënshkruar dhe një marrëveshje e mirë për Kosovën nuk mund të nënshkruhet me Vuçiqin, qoftë edhe në Garden Roses dhe në prani të Trampit, nëse deri atëherë do të jetë në pushtet!
Nuk mund ta quaj gomar as Edi Ramën siç e bëjnë disa sepse, edhe nëse ka sjellje të ngjashme me këtë krijesë të Zotit, fizionimia dhe anatomia i dallon shumë.
Nuk gëzohem dhe nuk kërkoj që Hashim Thaçi të burgoset dhe të dërgohet në Hagë përkatësisht në Gjykatën Speciale sepse është jonjerëzore dhe e pamoralshme që ta ndërtosh lumturinë mbi fatkeqësinë apo tragjedinë e tjetrit aq më parë që të tjerët e vendosin se kush, ku do të shkojë sikur që jam kundër çdo denigrimi të personalitetit përmes fyerjeve dhe akuzave të paargumentuara. Në fund, mund edhe t’i ikim drejtësisë tokësore, por asnjëherë dhe kurrë asaj, drejtësisë hyjnore. I kemi shembujt e freskët: Millosheviqi, Gadafi, Sadati dhe shumë të tjerë!