Cech: Me Wengerin kishim harruar se si fitohej
Arsenali arriti të dielën një fitore mjaft të rëndësishme përballë Evertonit, me shifrat 2-0. Një fitore, që është e pesta radhazi për “topçinjtë” në të gjithë kompeticionet dhe e katërta në Premierë Ligë.
Në afatin kalimtar të verës Arsenali transferoi nga Bayer Leverkuseni portierin gjerman Bern Leno por, me sa duket, trajneri spanjoll Unai Emery vijon të besojë tek aftësitë e veteranit Petr Cech. 36-vjeçari vijon të jetë titullar në portën e Arsenalit, teksa në kampionat ka qenë titullar në çdo sfidë. Pikërisht portieri çek ka folur për mediat angleze pas sfidës ndaj Evertonit, ku është shprehur se nën drejtimin e Arsene Wengerit Arsenali kishte harruar se si të fitonte në Premierë Ligë.
“Për çdo klub që ka fituar tituj në vitet e fundit, çdokush di se si të arrijë të fitojë qoftë edhe një ndeshje shumë të vështirë. Mund ta shohësh në çdo sport. Shikoni Tajger Uds në golf. Kanë kaluar 5 vjet që kur ai ka fituar një trofe madhor. Sa më shumë kohë kalon aq më e vështirë bëhet. Arsenali ka më shumë se 10 vjet pa fituar kampionatin, prandaj duhet të shohësh se çfarë duhet të bësh për t’u rikthyer fitues”, ka thënë Cech. Gjithashtu, portieri foli edhe për trajnerin e ri, Unai Emery.
“Me trajnerin e ri po ndryshojmë dhe po përmirësohemi shumë. Pak e nga pak po përvetësojmë edhe mentalitetin e fituesit, i cili na ka munguar si klub. Nën drejtimin e Wengerit kishim harruar se si mund të fitohet Premierë Liga. Në atë kohë më dukej sikur tek Arsenali ishte më e rëndësishme loja sesa pikët. Tani ne mund të fitojmë edhe sfida me lojë jo fort të mirë, por tri pikët janë ato çka numërohen në fund”, ka përfunduar Cech.