Çedomir Jovanoviçi promovoi politikën e Vuçiqit për ndarjen e Kosovës me këmbim njohjen
Driton Lajçi
Vizita e Çedës u mirëprit me entuziazëm të merituar në Kosovë, duke ditur pikëpamjet më realiste në raport me Kosovën, sikurse dhe disa kontakte që kishte pasur me disa nga liderët e studentëve të Kosovës gjatë vitit 1997.
Sigurisht, nga takimet që kishte ai dhe diskutimet e brendshme që kanë pasur me përfaqësues politikë, deputetë etj., ka thënë se e njeh Pavarësinë e Kosovës. Pothuajse të gjithë politikanët e Serbisë në takimet private e thonë se e njohin realitetin e Kosovës, ama praktikisht dhe publikisht e thonë dhe bëjnë të kundërtën.
Madje takimet e drejtpërdrejta në Bruksel janë njëlloj njohje e realitetit të Kosovës. Por, njeriu përgjigjet për atë që flet publikisht dhe jo për atë që mendon apo edhe që e thotë privatisht. Çeda, publikisht, në realitet, qoftë edhe indirekt, promovoi politikën e ndarjes së Kosovës në këmbim të njohjes.
Këtë qëndrim politik, de jure, me ndarjen e Kosovës në këmbim të njohjes së Pavarësisë, presidenti Vuçiq ia ka prezantuar kancelares Merkel.
Autori i këtyre rreshtave ka pasur një debat nga distanca me Jovanoviçin kur ishte kryetar i Klubit Politik të Studentëve përmes Radio Evropës së Lirë në emisionin “Ura” të Omar Karabegut më 9 nëntor 1997, në kohën kur mbronim Universitetin, qenien dhe kauzën tonë shqiptare, me trupat e njomë studentorë përballë artilerisë policore serbe.
Në atë kohë Çeda na ftonte ta pranojmë Serbinë si shtet tonin, kundërshtonte marrëveshjen Rugova – Millosheviq (grupin 3+3) dhe kërkonte që shqiptarët e Kosovës të hyjnë në zgjedhje të Serbisë. Kështu Kosova t’i zgjidhë problemet e veta përmes sistemit politik dhe juridik të Serbisë dhe ato të Universitetit. (Debati Lajçi – Jovanoviç gjendet në publikimin e Omar Karabegut, “Dialog mbi fuqi baruti: dialogu shqiptaro-serb 1994-2001”).
Megjithatë, ishte për mirënjohje shprehja e keqardhjes së tij dhe patrikut Pavle për dhunën e policisë serbe kundër studentëve paqësorë dhe gatishmëria për të debatuar.
Nuk u çudita shumë kur lexova në media se ai promovonte pozicionin e Vuçiqit, që Kosova ta japë veriun në këmbim të njohjes së pavarësisë nga Serbia. Këtë synonte ta bënte edhe ish-kryeministri Gjingjiç, zëvendës i të cilit në atë kohë ishte Jovanoviçi. Së fundmi, Vuçiqi në njërën prej deklaratave të veta kishte thënë se tashti i mirëkuptoi qëllimet e Gjingjiçit.
Pakoja e Ahtisarit, Marrëveshja e Brukselit dhe Asociacioni i Komunave janë thelbi i statusit special të serbëve të Kosovës. Këtë kompromis e kanë bërë fuqitë e mëdha duke e marrë parasysh pozitën e serbëve të Kosovës dhe të Republikës së Serbisë. Ky është maksimumi i kompromisit. Kjo pako nuk është shndërruar në Rezolutë të KS të OKB-së sepse Rusia përdori të drejtën e vetos për interesa të veta strategjike.
Nuk duhet harruar se Serbia ka bërë luftë të padrejtë dhe ka humbur luftën dhe nuk duhet të shpërblehet me territor në paqe në emër të kompromisit dhe marrëveshjes historike. Serbia e ka humbur të drejtën historike për të vendosur për Kosovë dhe për bashkëjetesën e qytetarëve të Kosovës, të serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës.
Këtë të drejtë historike e kemi fituar ne dhe ne duhet ta përjetojmë dhe qeverisim me shumicën shqiptare dhe komunitetet tona etnike që janë vlera, patriotizimi dhe e ardhmja jonë.
Autori është një nga ish-liderët e Lëvizjes Studentore 1997-1999 dhe ish-deputet.