
Çeferin: As na ka shkuar në mendje ta luajmë finalen e Ligës së Kampionëve jashtë Evropës
Aleksandër Çeferin ka dhënë një intervistë për median sllovene “Delo”, ku ka prekur disa tema të rëndësishme për futbollin evropian dhe atë botëror. Duke nisur me Ligën e Kampionëve, presidenti i UEFA-s e cilëson formatin e ri të garës si një sukses të madh: “Kam dëgjuar vetëm përgjigje pozitive. Fillimisht kishte kritika, si gjithmonë kur ndodhin ndryshime, por tani 99% e njerëzve janë të kënaqur. Liga e Kampionëve është më i paparashikueshëm se kurrë, askush nuk ishte i sigurt për kualifikimin në 1/8 finale deri në momentin e fundit”.
Çeferin mohon kategorikisht spekulimet për zhvendosjen e finales së Ligës së Kampionëve në një kontinent tjetër, jashtë Evropës: “Nuk kemi negociuar kurrë për ta luajtur finalen diku tjetër. Më surprizon që disa media të njohura publikojnë lajme të tilla pa kërkuar një koment nga UEFA. Nëse do të ishte e vërtetë, do ta dija”. Në lidhje me raportimet për një ofertë prej 1 miliard eurosh për Vinicius Junior, Çeferin shprehet skeptik: “E marr po aq seriozisht sa lajmet për finalen e Ligës së Kampionëve jashtë Evropës. Është një shifër e pabesueshme, që nuk ka bazë financiare, por nëse është e vërtetë, atëherë është vendimi i sauditëve”.
Presidenti i UEFA-s ka vlerësim maksimal për Rodri, fituesin e “Topit të Artë” 2024, duke theksuar se lojtari spanjoll është një nga më të mirët në botë, por ndoshta nuk është aq i vërejtur sa sulmuesit: “Rodri ishte shpirti i Spanjës kampione të Evropës dhe i Manchester City, që ka fituar gjithçka. Nuk shënon shumë gola dhe për këtë arsye nuk është aq i dukshëm për tifozët e zakonshëm, por ekspertët e vlerësojnë. Unë e mësova fituesin e ‘Topit të Artë’ vetëm në ditën e ceremonisë, pasi mbahet sekret deri në fund”. Çeferin ka një marrëdhënie të shkëlqyer me Jose Mourinhon dhe vlerëson anën e tij humane: “Mourinho është një njeri i madh. Është unik në fushë, por jashtë saj është një person i mrekullueshëm. Gjatë pandemisë Covid-19 shpërndante personalisht ushqime për të moshuarit në Londër”.
Çeferin ka komentuar edhe transferimin e befasishëm të Luka Donqiq në NBA, duke bërë një krahasim me rregullat e futbollit: “Ishte një lëvizje tronditëse dhe, sipas mendimit tim, e padrejtë. Edhe nëse e dërguan te Los Angeles Lakers, një klub më i madh, është e pabesueshme që ai nuk dinte asgjë për këtë. Kjo nuk mund të ndodhë në futboll. As një klub i vogël nuk mund të transferojë një lojtar pa pëlqimin e tij”.