Ceferin, Barcelonën: UEFA do t’i shkojë deri në fund
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, ndërhyn në çështjen “Negreira-Barcelona”, madje e bën këtë me një deklaratë shumë të fortë. Klubi katalanas është nën akuzë për pagesat e bëra ndaj ish-zëvendëspresidentit të Komitetit Teknik Spanjoll të Arbitrave. UEFA ka njoftuar tashmë hapjen e një hetimi.
“Barcelona? Situata është jashtëzakonisht serioze”, tha Ceferin në një intervistë për gazetën sllovene “Ekipa”. “Unë jam informuar dhe situata është jashtëzakonisht e rëndë. Për mendimin tim është një nga situatat më të rënda në futboll, që kam parë ndonjëherë”.
Ceferin konfirmon se UEFA do t’i shkojë deri në fund çështjes në fjalë: “Unë nuk mund të komentoj drejtpërdrejt për këtë çështje, për dy arsye: Së pari, sepse kemi një komision të pavarur disiplinor përgjegjës për këtë. Së dyti, sepse nuk e kam trajtuar çështjen në detaje. Në nivelin e ligës spanjolle, natyrisht, çështja parashikohet. Nuk mund të ketë pasoja në konkurrencë, por procedurat po vazhdojnë në nivelin e prokurorisë civile spanjolle. Për sa i përket UEFA-s, nuk ka asgjë të parashikuar në rregulloret e saj për kësi çështjesh”.