Ceferin: ‘Euro 2020’ do të zhvillohet me tifozë
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin ka përjashtuar kategorikisht çdo mundësi që ndeshjet e “Euro 2020” që do të zhvillohet këtë verë të luhen pa tifozë.
Për momentin 11 qytete kanë garantuar që mund të plotësojnë kushtet sanitare për të pritur tifozë verën e ardhshme në impiantet e tyre ndërkohë që në dyshim janë Dublini dhe Glasgow pasi qeveria skoceze është shfaqur skeptike dhe pritet të mos lejojë praninë e tifozëve në një nga dy qytetet që mund të zgjidhet për të pritur ndeshje të “Euro 2020”.
“Ne jemi duke punuar për skenarë të ndryshëm, por e vetmja garanci që mund të japim është se opsioni për të luajtur ndonjë ndeshje të Euro 2020 në një stadium të zbrazët është përjashtuar. Çdo qytet do të duhet të sigurojë që do të ketë tifozë në tribuna gjatë ndeshjeve të tyre. Skenari ideal është të luash turneun në 12 vendet e paracaktuara, por nëse kjo nuk është e mundur do të vazhdojë në 10 ose 11 vende”, ka thënë Ceferin.
“Euro 2020” ishte në program për t’u luajtur verën e kaluar por u shty për këtë vit për shkak të pandemisë Covid-19. Kompeticioni i dytë më i rëndësishëm në rang kombëtaresh pas Kupës së Botës do të startojë në 11 qershor të këtij viti dhe do të përfundojë më 12 korrik.