Ceferin: Liga e Kampionëve nuk do të luhet jashtë Evropës
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin ka vendosur që të mos ketë ende një finale të Ligës së Kampionëve në Nju Jork, siç është përfolur ditët e fundit.
“Kjo ide nuk është diskutuar asnjëherë zyrtarisht”, ka theksuar presidenti i UEFA-s, nëpërmjet një komunikate për shtyp. “Ne nuk kemi ndërmend që të zhvillojmë një finale të Ligës së Kampionëve jashtë kontinentit evropian”, ka shtuar ai më pas.
Një nga përfaqësuesit e “Mediapro”, kompanisë që ka të drejtat televizive të Ligës së Kampionëve dhe të Evropa Ligë për Spanjën, ka bërë publik një diskutim të tillë, që me sa duket u hodh poshtë menjëherë nga 50-vjeçari, numri 1 i futbollit evropian Aleksandër Ceferin, raporton “tch”.
Pak javë më parë, drejtues të kampionatit spanjoll kanë hedhur idenë e zhvillimit të disa ndeshjeve të kampionatit të tyre në SHBA, një temë e diskutueshme dhe e kundërshtuar nga disa klube. Gjithsesi, Barcelona dhe Girona janë shprehur të gatshme që të zhvillojnë një ndeshje në Miami, janarin e ardhshëm. Ndërkohë, finalja e këtij viti në Ligën e Kampionëve do të zhvillohet në “Wanda Metropolitan” të Madridit, e finalja e vitit 2020 në Stamboll.