Çekia mbështet Kosovën dhe FSK-në
Zëvendësministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK), Burim Ramadani dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, janë duke qëndruar për një vizitë zyrtare në Republikën Çeke.
Zëvendësministri Ramadani dhe gjenerallejtënant Rrahman Rama, janë pritur në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Çekisë nga zëvendësministri për Siguri dhe Çështjet Multilaterale, Martin Povejshil dhe zëvendësministri dhe drejtori i Departamentit për Evropën Jugore dhe Juglindore, Martin Koshatka.
Gjatë takimit të përbashkët, zëvendësministri Ramadani i ka informuar zyrtarët e lartë çekë për procesin e transicionit të FSK-së në mandat ushtarak dhe mbrojtjes, duke qartësuar objektivin e Qeverisë së Kosovës dhe procedurat e rregullta parlamentare për këtë proces.
“Procesi i transicionit të FSK-së është legjitim, gradual dhe është transparent, si dhe ndihmon në forcimin e angazhimit të marrëdhënieve në temat e sigurisë e të mbrojtjes midis shteteve në rajon. Kosova synon që të kthehet në ofrues të sigurisë rajonale dhe globale, përmes angazhimit të saj aktive në misione paqeruajtëse nëpër zona të konfliktit kudo nëpër botë, krah për krah me ushtritë e shteteve të NATO-s”, ka thënë Ramadani.
Ndërsa, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, ka shpjeguar rrjedhën e procesit të transicionit të FSK-së, duke filluar nga zhvillimi i kapaciteteve trajnuese dhe të doktrinës.
Në anën tjetër, zëvendësministri për Siguri dhe Çështjet Multilaterale të Çekisë, Martin Povejshil dhe zëvendësministri dhe drejtori i Departamentit për Evropën Jugore dhe Juglindore, Martin Koshatka kanë shprehur mirëkuptimin e Republikës Çeke, për procesin e transicionit të FSK-së, duke theksuar mbështetjen për thellimin e marrëdhënieve bilaterale.
/Epoka e re/