Çekia me mungesa të shumta ndaj Shqipërisë
Republika Çeke në alarm mungesash përpara ndeshjes me Shqipërinë. Rivalët e Kombëtares do të paraqiten në Tiranë pa mbrojtje. Kjo për shkak se Ladislav Krejci i Gironas, Martin Vitik i Spartës dhe David Zima i Slavias nuk janë grumbulluar për arsye shëndetësore.
Të tre këta janë lojtarët që janë aktivizuar më së shumti në repartin defensivë gjatë muajve të fundit, madje dy të parët kanë qenë titullarë të padiskutueshëm. Trajneri Ivan Hasek nuk do të ketë në dispozicionas Lukas Kalvach, mesfushorin e Viktoria Plzen, që është një prej alternativave në stolin e rezervave.
Një mungesë e madhe është edhe ajo e sulmuesit Patrik Schick. Edhe pse gjatë fundjavës që kaloi ai shënoi me ekipin e Bayer Leverkusen, 28-vjeçari nuk është në dispozicion të përfaqësueses për ndeshjet e Nations League.
Kjo është arsyeja përse në ekip është grumbulluar Patrizio Stronati, i cili ka pasaportën çeke por edhe atë italiane. Në ekip është grumbulluar për herë të parë mesfushori i Ostravas, Jiri Boula, teksa Matej Sin pret të luajë ndeshjen e parë me ekipin. Të premten Çekia do të zbarkojë në Tiranë për stërvitjen zyrtare dhe konferencën për shtyp përpara duelit të së shtunës, më 16 nëntor, në Arenën Kombëtare.