Çekia me tri mungesa kundër Shqipërisë
Mediat në Pragë nuk janë aspak të qeta. Kombëtarja e Çekisë do të luajë këtë të shtunë në Tiranë ndaj Shqipërisë, dhe komentet janë që skuadra nuk jep aspak siguri në mbrojtje.
Në njërën nga mediat kryesore, “Blesk”, në rubrikën e rëndësishme sportive të saj, bëhet analiza se tre lojtarë të rëndësishëm si Krejci, Vitik e Zima mungojnë këtë herë.
Çekia duket shumë larg formës në lojën difensive që pati në përballjen e parë në grup ndaj kuqezinjve, në fitoren 2-0, ndërsa njëri nga lojtarët kryesorë si Hranac është lënë në stol sepse nuk ka luajtur në Gjermani.
Po ashtu, Vlcek është i dëmtuar dhe gjithashtu Jaroslav Zeleni i Spartës së Pragës mungon.
I vetmi futbollist i besuar i qendrës së mbrojtjes që ka mbetur në dispozicion është Holes, shkruan abcnews.
Kjo po cilësohet si një ndërlikim i madh i gjendjes, madje është cilësuar deri edhe katastrofë. Pritet që trajneri Hashek të luajë me katër lojtarë në prapavijë, ndërsa shqetësimi është i thellë sepse titullarët mund të vuajnë nga shpejtësia e lojës së Shqipërisë apo edhe e Gjeorgjisë, në ndeshjen e fundit në Ligën e Kombeve.
Sikur të mos mjaftonin këto, mediat çeke shkruajnë se në kombëtare ka një problem me emrin “Patrik Shik”.
Sulmuesi kryesor nuk u grumbullua nga trajneri Hashek, duke u deklaruar si i dëmtuar, por ai luajti në javën e fundit të Bundesligës madje shënoi edhe golin e parë të sezonit për Leverkusenin ndaj Bochumit.