Çekia rikonfirmon përkrahjen për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE
Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka pritur në takim një delegacion nga Republika e Çekisë, të kryesuar nga zëvendësministri i ri dhe drejtor i Departamentit të Evropës Jugore dhe Juglindore të Ministrisë së Punëve të Jashtme çeke, ambasadorin Martin Kosatka.
Në këtë takim është diskutuar për bashkëpunimin dhe forcimin e raporteve të mëtejme ndërmjet dy vendeve.
Me këtë rast, delegacioni çek ka rikonfirmuar përkrahjen e Republikës së Çekisë për perspektivën dhe integrimin e Ballkanit në Bashkimin Evropian (BE).
Ndërkohë, ministri Pacolli i ka vlerësuar lartë raportet ndërmjet dy shteteve, si dhe ka falënderuar shtetin çek për përkrahjen, sidomos si anëtare e grupit të shteteve të Vishegradit, për përfshirjen e barabartë të Kosovës në punimet e ministerialit të vendeve të Procesit të Vishegradit që u mbajt në Greqi.
Në këtë takim, delegacioni çek ka njoftuar po ashtu se së shpejti, Republika e Çekisë do të emërojë të ngarkuarin me punë në Ambasadën e këtij shteti në Kosovë.
/Epoka e re/