Çekia zotohet për të ndihmuar zhvillimin e auditimit të jashtëm në Kosovë
Sot, në Pragë, është nënshkruar Marrëveshja për Bashkëpunim midis Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës dhe Zyrës Supreme të Auditimit të Republikës së Çekisë.
Në kuadër të vizitës në selinë e Zyrës Supreme të Auditimit të Çekisë, Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani ka diskutuar me homologun e tij çek, Milosllav Kala për forcimin e bashkëpunimit midis dy institucioneve supreme të auditimit, për zbatimin e standardeve ndërkombëtare të auditimit, njofton kumtesa, përcjell lajmi.net.
Me këtë rast është nënshkruar Marrëveshja për bashkëpunim bilateral në fushën e auditimit.
Siç thuhet në njoftim, “marrëveshja përfshin fusha të rëndësishme të bashkëpunimit midis dy institucioneve dhe synon shkëmbimin e praktikave të mira audituese, veçmas në lidhje me metodologjinë dhe procedurat e auditimit të jashtëm të sektorit publik, aktivitetet profesionale për zhvillimin e mëtejmë të kapaciteteve institucionale e njerëzore, përmirësimin e komunikimit me palët e jashtme, etj”.
Presidenti i Zyrës Supreme të Auditimit të Çekisë, Milosllav Kala, ka vlerësuar progresin e arritur në Kosovë, lidhur me aplikimin e auditimit sipas standardeve ndërkombëtare të institucioneve supreme të auditimit. Ai është zotuar që, përveç bashkëpunimit bilateral, të përkrah Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës për pjesëmarrje aktive në kuadër të projekteve dhe aktiviteteve të Organizatës Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI), veçmas kur Çekia të merr kryesimin e këtij institucioni të rëndësishëm në nivel evropian.
Gjatë qëndrimit në Çeki, delegacioni kosovar në përbërje të Arvita Zyferit, Ndihmëse e Auditorit të Përgjithshëm, Qëndresa Mulaj, Shefe e Kabinetit dhe Shkelqim Xhema, Drejtor i Auditimit, përveç që kanë prezantuar përvojat dhe rezultatet e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, në mënyrë aktive kanë marr pjesë në diskutimet e përbashkëta me homologët çek, lidhur me metodologjinë, parimet dhe mënyrat për përmirësimin e mëtejmë të raporteve të auditimit.
Në takim, vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe zbatimit të qëllimit të parë strategjik të EUROSAI-t që ka të bëj me ngritjen e kapaciteteve dhe përdorimit të dhënave për qëllimet e auditimit.