
Çeku: Brenda këtij viti përfundojnë punimet në stadiumin ‘Adem Jashari’
Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku ka thënë se punët në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë po vazhdojnë me dinamikë të lartë dhe se këto punime do të përfundojnë brenda vitit.
“Punimet në stadiumin ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë po vazhdojnë me dinamikë të lartë. Brenda këtij viti, punët pritet të përfundojnë, duke i dhënë qytetit një stadium të ri, modern dhe njëherësh më të madhin në vend – në shërbim të klubeve, sportistëve dhe tifozëve mitrovicas”, ka thënë Çeku.
“Vazhdojmë pa u ndalur me konsolidimin e infrastrukturës së sportit në gjithë vendin. Po punohet edhe në stadiumet e Shtimes, Gjakovës dhe Hogoshtit të Kamenicës, si dhe pesë stadiume ndihmëse, ndërsa pritet të nisin punimet edhe në Gjilan, Prizren, Pejë, Ferizaj, Vushtrri dhe Suharekë. Me këtë përkushtim e seriozitet, nuk është investuar asnjëherë në infrastrukturën e futbollit në vend”, ka shtuar Çeku.