Çeku: FFK-ja ende ka punë për licencim, s’ka rrezik të përjashtohemi nga FIFA e UEFA
Ministri i Sportit, Hajrulla Çeku ka thënë se Federata e Futbollit të Kosovës nuk është ende e gatshme për t’u licencuar në MKRS. Sipas Çekut, FFK-së i nevojitet ende punë për t’i plotësuar kriteret e licencimit, derisa bëri me dije se nuk ka rrezik për përjashtimin e FFK-së nga FIFA e UEFA shkaku i moslicencimit.
“Nuk ka kurrfarë rreziku të përjashtimit të Federatës së Futbollit nga dy asociacionet ndërkombëtare. Sa i përket një kriteri shumë të rëndësishëm, licencimit të klubeve, këtu federata e futbollit ka shumë punë dhe ne e ftojmë edhe një herë federatën që ta përshpejtojnë bashkë me klubet dorëzimin e aplikacioneve të klubeve sepse licencimi nuk e përfshinë vetëm federatën si strukturë administrative dhe menaxhuese por edhe të gjitha klubet që bëjnë pjesë në garat zyrtare të federatës”, ka thënë Çeku në konferencë për shtyp.
“Ne jemi në komunikim edhe me UEFA-n edhe me FIFA-n, i kemi kërkuar disa sqarime nga to sa i përket statutit të ri të FFK-së dhe disa aspekte të tjera që kanë të bëjnë me kriteret ndërkombëtare për licencim. Kur t’i marrim përgjigjet nga FIFA dhe UEFA do të kemi më shumë qartësi në raport me licencimin e FFK-së”, ka shtuar Çeku.