Çeku: Kosova duhet të jetë më shumë prezente në veri
Ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ka folur edhe për takimet që serbët i kanë pasur së fundi në Rashkë, për të cilën ka folur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ai ka thënë se Serbia ka pasur dorë në sulmin terrorist më 24 shtator, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.
“Normal që Serbia ka pasur dorë në këtë sulm, kanë dështuar dhe ne i kemi mundur. Sigurisht që bëjnë përpjekje që të koordinohen që të përgatiten më mirë dhe ta gjejnë momentin më të volitshëm. Unë nuk pres që ata do të ndalen. Ne duhet të dërgojmë mesazhe që gjithnjë jemi më të fortë e më të përgatitur”, tha Çeku në RTK.
Sipas tij, Kosova të jetë më shumë prezentë në veri. Çeku kërkon nga Kosova se duhet të jetë vigjilente.
Çeku: Rusia u jep detyra Serbisë
Ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ka folur edhe për marrëdhëniet me Rusinë, që i ka Serbia duke përmendur se Rusia u dërgon detyre serbëve.
“Jo vetëm porosi, por ka detyrë. Kanë asi raporte Serbia, që Rusia sot është në gjendje t’i jep detyra Serbisë dhe fillimisht serbëve të Bosnjës. Unë pres që problemi kryesor të ndodh tek serbët e Bosnjës. Ai Dodiku i tyre është i prirë dhe është i detyruar prej Rusisë, të shkaktojë probleme”, tha ai.
Sipas tij, misioni i forcave paqeruajtëse ka një rol tjetër në krahasim me Kosovën. Ai tha se vetëm serbët u kanë mbetur aleatët të rusëve dhe nuk ka asnjë komb tjetër në Ballkan.
“Rusia është shumë prezentë në Serbia, Rusia nuk e lëshon Serbinë. Ata e kanë ndërtuar një narrativë, një mision, që kjo gjeneratë e politikanëve që është aktuale, duhet të ndërtojnë Botën Serbe, që të behën bashkë të gjitha vendet ku ka serbë, përfshirë edhe Kosovën edhe Malin e Zi. Elementi rusi është përfshirë shumë në Serbi, në Shërbimin Sekret, në politikëbërje, në politikë të jashtme”, tha ai.