Çeku: Kosova në terr për shkak të politikës
Rehabilitimi i pesë blloqeve të termocentralit “Kosova A” mund ta nxjerrë Kosovën nga terri, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ish-ministri i Energjisë, Ethem Çeku.
Për krizën energjetike me të cilën po përballet Kosova, Çeku fajëson politikën.
Sipas tij, sektori i energjisë kërkon një konsensus politik. Pa një konsensus të tillë, ai thotë se Kosova do të mbetet me linjit të bollshëm e të politizuar, pa ndërtimin e termocentraleve të reja dhe do të përballet me reduktime të ashpra të energjisë.
Kosova, sipas tij, këtë krizë energjetike nuk do ta kishte sikur ta zhvillonte projektin e Termocentralit “Kosova e Re”.
“Kosova ka 11 miliardë tonë linjit që ka mundur t’i fusë në përdorim, në zhvillimin e sektorit të energjisë. Fatkeqësisht, politikat e gabuara që janë bërë, kanë lënë 11 tonë linjit të papërdorshëm. Sot Kosova, si një nga vendet më të pasura në botë në fushën e linjitit, duhet të blejë energji elektrike nga 500 euro për megavat, derisa kemi mundur të prodhojmë me 56-60 euro megavatin. Këto janë politikat e gabuara që janë bërë nga qeveritë të cilët nuk e kanë lejuar zhvillimin e projektit të termocentralit “Kosova C”, dhe duke larguar katër konsorciumet e mëdha botërore të asaj kohe, të cilët kishin konkurruar për ndërtimin e blloqeve për ndërtimin e termocentralit “Kosova C”, që më vonë e ndërruan emrin dhe e bën “Kosova e Re”. Po ashtu e ndërruan edhe projektin në tërësi dhe kjo bëri që të largohen nga Kosova investitorët që ishin të fuqishëm”, ka thënë Çeku.