Çeku: Ne po paguajmë çmim të shtrenjtë, pasi s’ka pasur investime në sektorin e energjisë
Et’hem Çeku, ish-ministër i Energjetikës dhe Minierave, ka thënë se situata me energji elektrike në Kosovë dita-ditës është duke u vështirësuar, dhe sipas tij kjo po shkaktohet nga mosinvestimi në këtë sektor.
“Situata në Kosovë po vështirësohet, rënia e blloqeve po krijon një situatë të vështirë. Arsye tjetër është se ne nuk kemi investuar në sektorin e energjisë, nuk ka kapacitete të reja, blloqet e Kosovës A janë blloqe që s’mund të sjellin stabilitet. Ne po paguajmë një çmim të shtrenjtë sepse nuk kemi pasur investime në sektorin e energjisë, në veçanti në fushën e linjitit kam frikë se kriza do të thellohet, nuk është krizë që kalohet lehtë”, ka thënë Çeku në Edicionin Special në Klan Kosova.
Çeku tha se subvencionimet që janë bërë nga qeveria në këtë sektor, janë vetëm zgjidhje e përkohshme.
“Kjo formë që po planifikohet të blihet energjia elektrike, duke u subvencionu me 75 milionë euro, janë ndërhyrje të shpejta emergjente por nuk e zgjidhin problemin. Kjo politike sot për nesër është politikë e gabuar, shikoni sa miliona euro po shkrihen brenda disa muajsh në sektorin e energjisë, dhe sa do të shkrihen ende”, ka shtuar ai.
Sipas tij ka disa alternativa që mund të përdoren për të dalë nga kjo situatë.