Çeku, Ramës: Të lutem, Kryetar, mos gënje!

06 janar 2025 | 13:16

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku nëpërmjet një postimi në “Facebook” ka kërkuar nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama të mos gënjejë lidhur me palestrën multisportive dhe zonën ekonomike.

Në fakt, kryetari Rama ditë më parë ka deklaruar se: “Lokacioni dhe plani për palestrën janë refuzuar katër herë nga asamblistët e Vetëvendosjes. Në seancën e fundit (04.12.2024), kjo bllokadë u shoqërua me shkatërrim të pronës publike dhe ndërhyrje të policisë!”.

Gjithnjë sipas tij, Komuna e Prishtinës ka planifikuar ndërtimin e palestrës si pjesë të një kampusi sportiv në Bernicë, me projekte të plota urbanistike dhe përpjekje të vazhdueshme për miratim.

“Përhapja e propagandës dhe mungesa e bashkëpunimit politik po dëmtojnë Prishtinën dhe qytetarët e saj. Faji për vonesat bie mbi bllokimin e qëllimshëm nga Vetëvendosje dhe jo mbi Komunën. Komuna do të vazhdojë të punojë për të realizuar projektet e rëndësishme, pavarësisht bllokimeve politike. Retorika e gabuar dhe veprimet destruktive nuk do të na ndalin! Qytetarët e Prishtinës meritojnë zhvillim, jo propagandë politike. Dokumentet që vërtetojnë përpjekjet tona janë publike dhe të qasshme për të gjithë!”, kishte deklaruar Rama.

Ndërsa ministri Çeku sot është kundërpërgjigjur duke thënë se lokacioni i dakorduar nga Rama dhe Federata e Basketbollit gjendet në Hajvali, dhe nuk ka të bëj fare me lokacionin ku dëshironi ta realizoni projektin e kampusit sportiv në Bernicë.

“Të lutem, Kryetar, mos gënje! Lokacioni i dakorduar nga ju dhe Federata e Basketbollit për realizimin e Palestrës Multisportive gjendet në Hajvali, pranë Qendrës Nacionale të Futbollit dhe nuk ka të bëj fare me lokacionin ku dëshironi ta realizoni projektin e kampusit sportiv në Bernicë, përkatësisht Fshatin Olimpik. Gjatë tërë vitit 2024 Komuna e Prishtinës nuk ndërmori asnjë hap për ta konkretizuar zotimin tuaj dhe plotësuar kërkesën e FBK-së. Me gënjeshtra nuk ecet përpara. Nëse jeni serioz, dërgojeni vendimin në Kuvendin e Komunës për lokacionin që jeni dakorduar me FBK-në duke mundësuar kështu realizimin e plotë të projektit nga MKRS. PS. Nga grupi i VV më thanë që do të votojnë PËR. Dërgoje!”, ka shkruar Çeku.

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, ka deklaruar jashtë…