Çeku: Stadiumi nacional do të jetë pasuri për të gjithë, s’duhet të shndërrohet në betejë lokale dhe zonale
Stadiumi nacional ishte bërë temë diskutimi që prej nisjes së përmendjes së tij. Ndryshimi i lokacionit, herë në Drenas e herë në Bërnicë ishte bërë qesharak dhe një betejë lokale.
Sidoqoftë, ministri i sportit, Hajrulla Çeku thotë se lokacioni nuk duhet të bëhet aq kryefjalë, kur bëhet fjalë për një projekt aq gjigant dhe për një pasuri që do ta shijojnë të gjithë në vendin tonë.
“Është me rëndësi të sqarohet se stadiumi nacional do të ndërtohet, e kemi marrë obligim në aplikimin e kontratën tonë me Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare për organizimin e këtyre Lojërave në vitin 2030. Do të ndërtohet në territor të Kosovës, do të përdoret nga sportistët dhe sportdashësit e Kosovës. S’besoj se një projekt kaq i rëndësishëm duhet të shndërrohet në betejë lokale e të zonave të ndryshme, pasi do të jetë pasuri për të gjithë”, u shpreh ministri i sportit në konferencë për shtyp pas mbledhjes së Qeverisë.
Stadiumi nacional është pjesë e zotimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës pasi vendi ynë e fitoi të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare në vitin 2030. Një stadium modern pritet të ndërtohet në afërsi të Prishtinës, më saktësisht në Bërnicë.
Gjithashtu, ministri Çeku ka zbuluar se ka nënshkruar memorandume me 16 kryetarë të komunave të Kosovës dhe me Federatën e Futbollit të Kosovës. Ndër të tjera, ai premtoi se do të ndërtohen 27 stadiume të kategorive të ndryshme e fusha përcjellëse.
Sa i përket infrastrukturës së futbollit, planifikohet që gjithçka të përfundojë dhe të kompletohet në vitin 2028, pra pesë vjet nga tash.