Çeku: Terroristët kanë shkaktuar dëme në strukturën fizike të manastirit në Banjskë

27 shtator 2023 | 12:16

Ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku, ka thënë se grupi terrorist që ka vrarë rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ka shkaktuar dëme edhe në strukturën fizike të manastirit në Banjskë të Zveçanit.

Pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, në një konferencë për medie, ai ka bërë me dije se ministria që drejton i ka mjetet për restaurimin e manastirit në fjalë.

“Po e filloj me një çështje që ka të bëjë me zotimin e Qeverisë së Kosovës për sanimin e dëmeve fizike në manastirin e fshatit Banjskë të Zveçanit. Sulmi terrorist i sponsorizuar nga shteti i Serbisë kishte edhe një dimension tjetër të rrezikshëm, atë të përdorimit të një aseti të trashëgimisë kulturore dhe fetare për qëllime kriminale. Manastiri ortodoks në fshatin Banjskë të Zveçanit që është monument i trashëgimisë kulturore u përdor si strehë nga grupi terrorist”, ka thënë Çeku, duke shtuar se terroristët kanë shkaktuar dëme në strukturën fizike të manastirit të Banjskës.

“Terroristët kanë shkaktuar dëme jo të vogla në strukturën fizike të këtij manastiri. Besoj thellë se qëllimi i këtyre pjesëtarëve të këtij grupi dhe urdhërdhënësve të tyre, ka qenë që përveç dëmit fizik në manastir, të dëmtohen edhe marrëdhëniet ndërfetare dhe ndëretnike në Kosovë”, ka thënë Çeku.

Më tutje, ai ka thënë se Ministria e Kulturës është duke pritur që të krijohen kushtet e nevojshme, në mënyrë që ekipet profesionale ta bëjnë vlerësimin e dëmeve.

banjske

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tri ditë pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, katër…