Çeku zbulon planin pesëvjeçar: Rinovohen e ndërtohen 27 stadiume
Brenda pesë viteve të ardhshme në Kosovë planifikohet të ndërtohen dhe rinovohen 27 stadiume, duke përfshirë edhe stadiumin nacional.
Ky është plani që e ka zbuluar ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku, i cili tha se është arritur marrëveshja me Federatën e Futbollit të Kosovës ,UEFA-n, FIFA-n dhe 16 komuna të Kosovës për zbatimin e këtij projekti në mënyrë që Kosova të jetë gati me infrastrukturë sportive për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030.
“Ne e kemi nisur para disa muajsh në bashkëpunim me Federatën e Futbollit të Kosovës, me disa kryetarë të komunave një plan të përbashkët për konsolidimin e infrastrukturës së futbollit në vendin tonë. Tashmë kjo korrespondon edhe me planin që e kemi për Lojërat Mesdhetare, por ky është një proces që ka nisur më herët për të cilin ne kemi pasur një vizitë në dy shtëpitë botërore të futbollit në UEFA dhe në FIFA, jemi takuar me presidentët përkatës dhe e kemi mbështetjen e tyre profesionale, do të synojmë edhe financiare që të na ndihmojnë në këtë ndërmarrje të madhe shtetërore.
“Tashmë e kemi një memorandum të përbashkët me 16 kryetarë të komunave dhe me kryetarin e Federatës së Futbollit ku i ndajmë detyrat bashkërisht në lidhje me konsolidimin e infrastrukturës së futbollit. Pra, po flasim për 27 projekte të infrastrukturës së futbollit, një pjesë e tyre janë renovime, një pjesë e tyre janë ndërtime nga e para”, është shprehur Çeku.
Nga ky projekt, me stadiume të rinovuara ose krejtësisht të reja pritet të bëhen shumë komuna, si Prishtina, Prizreni, Gjilani, Peja, Gjakova e Ferizaj.