Çelaj: Asnjëri prej vendeve kryesore të BE-së nuk e kundërshton liberalizimin
Zëvendësministri i Integrimit Evropian, Lirak Çelaj, ka shprehur optimizëm se Bashkimi Evropian brenda këtij viti do ta marrë vendimin për liberalizim të vizave për Kosovën.
Ai ka bërë me dije se deri më tani asnjëri prej vendeve kryesore të BE-së nuk ka thënë se është kundër liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Çelaj ka thënë se disa prej këtyre vendeve kanë shprehur vetëm disa dilema të cilat Qeveria po mundohet t’ua heqë.
“Disa prej tyre na kanë konfirmuar qëndrimin e tyre pozitiv për këtë çështje, ndërsa disa prej tyre kanë hapur mëdyshje, e kanë lënë si çështje të hapur. Sa kam informacione unë, deri më tani asnjëri prej këtyre vende nuk ka dalë kundër liberalizmit të vizave për Kosovën. Janë shprehur vetëm disa dilema dhe ne po përpiqemi t’i bindim dhe t’ua heqim këto dilema”, ka thënë Çelaj.
Ai nuk ka dashur t’i përmendë emrat e vendeve që kanë shprehur këto dilema, duke shprehur optimizëm se Qeveria po punon me këto vende anëtare të BE-së në mënyrë që qëndrimi i tyre të jetë pozitiv.
“Nuk mund t’i përmend në mënyrë specifike se cilat shtete kanë luhatje, por ne po përpiqemi që shtetet më të mëdha të BE-së që kanë numrin më të madh të banorëve të kenë qëndrim pozitiv për këtë çështje. Mirëpo e mira së mirës është që të gjitha vendet të kenë qëndrim pozitiv”, është shprehur Çelaj.
Ai beson se vendimmarrja e BE-së për këtë çështje të ndodhë brenda këtij viti. “Shpresoj se vendimmarrja për këtë çështje të ndodhë brenda këtij viti por, për të qenë korrekt, meqenëse kjo nuk varet prej Kosovës drejtpërdrejt, nuk mund të them me saktësi se kur do të ndodhë. Shpresoj se vendimi pozitiv do të jetë brenda këtij viti”, ka deklaruar Çelaj.
Zëvendësministri i Integrimit Evropian ka vlerësuar se Kosova i ka kryer të gjitha obligimet në këtë proces dhe se gjithçka është në duart e vendeve anëtare të BE-së.
“Tash është një vendim politik i BE-së për të cilin disa vende anëtare të BE-së mund të kenë edhe hamendje politike, prandaj ne duhet të jemi korrektë dhe duhet t’u shmangemi datave apo ta paragjykojmë vendimin e BE-së. Kjo nuk do të thotë se ne jemi skeptikë për këtë vendim. Pra, ky është një vendim politik ku mund të ndikojnë shtetet e caktuara në këtë vendim për arsye të ndryshme, por ne si qeveri jemi në pritje të këtij vendimi dhe shpresojmë se do të jetë pozitiv”, ka thënë Çelaj.
“Epoka e re”: Z. Çelaj, Kosova është në pritje të vendimit politik të BE-së, por çdoherë e më tepër po shtohet skepticizmi se kjo vendimmarrje nuk do të ndodhë brenda vitit?
Çelaj: Nuk ka të bëjë kjo me skepticizëm, por me të qenit korrekt karshi qytetarëve tanë, sepse po flasim për një vendim i cili nuk varet drejtpërdrejt nga Qeveria e Kosovës, sepse Qeveria e Kosovës i ka përmbushur të gjitha obligimet teknike që janë kërkuar nga BE-ja për procesin e liberalizimit të vizave. Ndërsa tash është një vendim politik i BE-së për të cilin disa vende anëtare të BE-së mund të kenë edhe hamendje politike, prandaj ne duhet të jemi korrektë dhe duhet t’u shmangemi datave apo ta paragjykojmë vendimin e BE-së. Kjo nuk do të thotë se ne jemi skeptikë për këtë vendim. Pra, ky është një vendim politik ku mund të ndikojnë shtetet e caktuara në këtë vendim për arsye të ndryshme, por ne si Qeveri jemi në pritje të këtij vendimi dhe shpresojmë se do të jetë pozitiv.
“Epoka e re”: Çfarë ka bërë Qeveria kohën e fundit për t’i larguar hamendjet e këtyre vendeve anëtare të BE-së?
Çelaj: Ka pasur një varg veprimesh të ministrisë sonë, ku ministrja Hoxha ka pasur një varg takimesh me zyrtarët e lartë të shteteve anëtare të BE-së. Po ashtu, edhe zyrtarët e tjerë të Qeverisë dhe të Kuvendit kanë bërë përpjekje dhe lobim të vazhdueshëm duke u munduar të bindin nëse ndonjë shtet anëtar ka luhatje rreth liberalizimit të vizave për Kosovën. Pra, të gjitha këtyre shteteve po u ofrojmë informata të mjaftueshme duke u argumentuar se ne jemi një shtet që meritojmë lëvizjen e lirë dhe se BE-ja është vonuar rreth kësaj çështje në raport me Kosovën. Kriteret që ne i kemi pasur për procesin e liberalizmit të vizave nuk i ka pasur asnjë shtet para nesh. Pra, Qeveria ka punuar dhe po punon duke lobuar për këtë çështje dhe tani na mbetet të shohim nëse ia kemi dalë t’i bindim ato shtete.
“Epoka e re”: Në opinion publik përmenden disa shtete që janë skeptike rreth këtij vendimi. Është në dijeni Qeveria se cilat janë këto shtete apo sa është numri i tyre?
Çelaj: Nuk mund t’i përmend në mënyrë specifike se cilat shtete kanë luhatje, por ne po përpiqemi që shtetet më të mëdha të BE-së që kanë numrin më të madh të banorëve të kenë qëndrim pozitiv për këtë çështje. E mira e mirës është që të gjitha vendet të kenë qëndrim pozitiv.
“Epoka e re”: Deri më tani këto shtete anëtare që kanë numrin më të madh të popullsisë në BE, ia kanë konfirmuar Qeverisë qëndrimet e veta për këtë çështje?
Çelaj: Disa prej tyre na e kanë konfirmuar qëndrimin pozitiv për këtë çështje, ndërsa disa prej tyre kanë lënë si çështje të hapur. Sa kam informacione, deri më tani asnjëri prej këtyre vendeve nuk ka dalë kundër liberalizimit të vizave për Kosovën. Janë shprehur vetëm disa dilema dhe ne po përpiqemi t’i bindim dhe t’ua heqim ato. Po e përsëris edhe një herë, se kjo çështje tanimë nuk është në dorën tonë, Kosova i ka kryer obligimet e veta dhe ne po e presim vendimin e tyre.
“Epoka e re”: Sa është optimiste Qeveria që vendimmarrja për këtë proces të ndodhë brenda këtij viti?
Çelaj: Shpresoj se vendimmarrja për këtë çështje të ndodhë brenda këtij viti, por për të qenë korrekt, meqenëse kjo nuk varet prej Kosovës drejtpërdrejt, nuk mund të them me saktësi se kur do të ndodhë. Shpresoj se vendimi pozitiv do të jetë brenda këtij viti.
“Epoka e re”: Cili është roli i opozitës në këtë proces, sepse disa herë nga zyrtarët qeveritarë është thënë se dikush nga opozita po përçon mesazhe të tjera te vendet anëtare të BE-së?
Çelaj: Në vazhdimësi është thirrur për një unitet për temat kombëtare. Dhe meqenëse kjo është një prej çështjeve më të rëndësishme në raport me BE-në, do të duhej të ishim unikë. Mosuniteti mund të jetë një prej ndikuesve në këtë proces. Shpresojmë se nuk do të ndodhë kjo, por do të ndodhë që të gjithë, pozitë dhe opozitë, të jenë unikë sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave.
“Epoka e re”: Brenda çfarë kohe do të mund të dihet nëse vendimmarrja e BE-së do të ndodhë këtë vit apo do të shtyhet për vitin e ardhshëm?
Çelaj: Shpresoj dhe besoj se brenda këtij viti, pa specifikuar ndonjë muaj, do të ketë një vendim pozitiv të BE-së për këtë çështje.
“Epoka e re”: Nëse eventualisht ndodh që të mos ketë vendimmarrje këtë vit, sa mendoni se do të shtyhet ky proces?
Çelaj: Varësisht se cili do të jetë vendimi i Këshillit të Ministrave të BE-së. Ata do të vendosin nëse do të shtyhet apo jo. Nuk po dua të paragjykoj asnjë vendim të këtij institucioni të BE-së për këtë çështje.
Muhamet KOCI