Çelaj: Kadri Veseli është dhe duhet të mbetet kryetar i PDK-së
Anëtari i Këshillit Drejtues të PDK-së, Lirak Çelaj, ka thënë se Kadri Veseli është dhe duhet të mbetet kryetar i PDK-së.
“Lajmi qe është publikuar në disa portale është i pavërtetë, se unë gjoja kam kërkuar që të largohet z. Kadri Veseli dhe të vije dikush tjetër në vendin e tij. Unë vazhdimisht e kam potencuar edhe në media por edhe në mbledhje të Këshillit Drejtues të PDK-së se z. Kadri Veseli është dhe duhet të mbetet kryetar”.
“Unë e çmoj shumë z. Veseli dhe konsideroj që është njeri me shumë vlera dhe i cili ka bërë shumë për Kombin dhe për vendin. Mendoj që nuk është e rastësishme që hapen lajme të tilla të rreme dhe janë të sponsorizuar pikërisht nga ata që ndihen të rrezikuar nga reformat thelbësore që kërkoj unë”, ka shkruar Çelaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka shtuar se: “Aparaqikët e partisë nuk dinë gjë tjetër përveç të merren me shpifje. Ky lajm i rrem i ka rrënjët nga ata që kanë uzurpuar pozitat dhe kanë frikë nga demokratizimi i partisë sepse ata do të humbnin edhe privilegjet që i kanë sot e kësaj dite”.
Çelaj ka theksuar se kërkesat e tij nuk kanë të bëjnë me individët por me parimet.
“Po e ritheksoj se disa nga kërkesat e mia janë: 1. Të marrë përgjegjësi dikush për rezultatin e dobët të 14 shkurtit 2. Të demokratizohet partija që është kapur nga individ. 3. Të kemi një kryesi e cila del nga votat e Këshillit Drejtues ashtu siç e parasheh statuti i partisë. 4. Të përcaktohet qartë orientimi ynë duke marr parasysh platformën që ka pasur UÇK e disa nga to janë: a. Kombi të trajtohet si një pavarësisht kufijve se ku shtrihet, b. Të deklarohet qartë orientimi ynë perëndimor, c. Të ruhet laiciteti i vendit. Këto janë disa prej kërkesave të mija. Dhe po ritheksoj se nuk jam i orientuar në përkrahja apo kundër individët e as grupacioneve, përkundrazi jam për qartësim të ideve dhe kushdo që i ka këto ide do ta ketë edhe përkrahjen time”, ka shkruar Çelaj.