Çelaj takon ndihmësministrin kroat, flasin për procesin integrues të Kosovës
Zëvendësministri i Integrimit Evropian, Lirak Çelaj, ka pritur sot në takim ndihmësministrin e Kroacisë për Punë të Jashtme dhe Çështje Evropiane Miroslav Papa si dhe përgjegjësin për vendet kandidate në BE të kësaj ministrie Anton Herceg me të cilët ka diskutuar për mundësitë për bashkëpunim përgjatë procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
“Ne vlerësojmë se rruga e vetme për të ardhmen tonë të sigurt, është integrimi evropian. Ne jemi të angazhuar që plani për zgjerim të BE-së, në gjashtë vendet e Ballkanit perëndimor të arrihet sa më parë. Ne kemi dëshmuar gatishmërinë tonë që të gjitha obligimet ndërkombëtare do t’i zbatojmë, po ashtu, do të kontribuojmë në paqen rajonale”, ka deklaruar Çelaj, duke shtuar se rajoni duhet të marrë vëmendjen e duhur nga BE-ja.
Ai ka theksuar se Kosova nga vendet e BE-së pret përkrahje gjatë vlerësimit të procesit jo vetëm për liberalizimin e vizave por edhe të arriturave tjera duke pasur qasje të njëjtë sikur me vendet e deritashme aspirantë në proces.
Çelaj ka thënë se Kosova çmon përkrahjen nga Kroacia rreth proceseve integruese euroatlantike.
Ndërkohë ndihmësministëri i Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane, Miroslav Papa, ka vlerësuar të arriturat e Kosovës duke potencuar se Kroacia do të vazhdojë mbështetjen ndaj Kosovës drejt integrimit evropian.
Po ashtu ai ka ofruar përkrahjen e ekspertëve për këtë proces dhe përvojat e këtij vendi mik të Kosovës.
Në këtë takim është vlerësuar se marrëdhëniet ndërshtetërore janë të shkëlqyera dhe se nëpërmjet proceseve integruese ato do të fuqizohen edhe më tej duke këmbyer përvoja nga procesi si dhe përkrahje të gjithanshme për Kosovën nga Kroacia edhe pranë institucioneve ndërkombëtare.
/Epoka e re/