Celina: Humbja ndaj Cityt, vështirë të pranohet
Swansea City nuk arriti gjysmëfinalen e FA Cupës pasi pësoi humbje nga Manchester City me rezultat 2-3 në çerekfinale. Më i miri në këtë ndeshje për skuadrën vendëse ishte ylli i Përfaqësueses së Kosovës, Bersant Celina, i cili, përveç golit, arriti të bëjë një paraqitje fantastike.
“Isha i lumtur që shënova pas penalltisë së humbur në mesjavë. Djemtë ishin fantastikë si ekip dhe arritëm të ndërtonim një fillim të mirë të ndeshjes dhe të merrnim gola. Plani i ndeshjes funksionoi. I vendosëm në presion dhe tentuam t’ia bëjmë sa më të vështirë lojën. Nuk është befasi të humbasësh ndaj një skuadre fantastike, por kur je në epërsi 2-0 atëherë fillon të besosh se mund të fitosh”, ka thënë Celina.
“Ia arritëm të bëjmë aq mirë ndaj një prej skuadrave më të mira në botë, por humbja është vështirë për t’u pranuar. Shpresoj që ta përdorim këtë paraqitje për të na motivuar në ligë. Nëse luajmë si ndaj Manchester Cityt, mendoj se mund t’ia arrijmë ndaj çdo skuadre në kampionat”, ka shtuar Celina.