Cenaj uron fillimin e vitit të ri shkollor
Drejtori i Arsimit në komunën e Dragashit, Vloran Cenaj, ka uruar gjithë nxënësit për fillimin e vitit të ri shkollor, duke iu uruar një vit të mbarë.
Urimi i plotë në ‘Facebook’ i Cenajt:
Të dashur nxënës dhe mësues!
Të dashur prindër!
Sot fillon viti i ri shkollor për arsimin parauniversitar, ndaj në emër të Drejtorisë së Arsimit në Dragash, ju përshëndes dhe dërgoj pranë jush urimet më të ngrohta.
E di që i keni bërë përgatitjet për sot në mëngjes, me lejoni të ndaj me ju emocionet e mia në një moment si ky, emocione të një mësuesi, të një babai dhe të një bashkëqytetari.
I shoqëruar me një emocion të veçantë, fillimisht dua t’i drejtohem fëmijëve që nisin për herë të parë jetën shkollore, sikurse mësuesve të klasave të para që do të përkujdesen për këta filiza të rinj, me të gjithë përgjegjësinë e mësuesit dhe prindit, për të siguruar që këta fëmijë të bëhen e ardhmja e denjë për këtë vend. Uroj prindërit gjithashtu, të cilët do të duhet të jenë mbështetja kryesore, që fëmijët tanë të dashur të ndjehen të qetë, të sigurt dhe plot besim në rrugën e gjatë të dijes.
Një urim për të gjithë ju, nxënësit e klasave të tjera, që në këtë ditë e ndjeni veten më të rritur e më të ditur dhe që jeni fort të motivuar për t’u bërë edhe më të aftë për t’i shërbyer vetes, së ardhmes dhe familjes suaj.
Një ditë, mbase jo larg, fati i këtij vendi do të jetë në duart tuaja. Dikur, një urtar ka thënë: “Dituria është dritë, injoranca është errësirë”. Andaj, nëse ju i përkushtoheni fitimit të diturisë, ju bëheni dritë, e cila ndriçon rrugën e këtij populli dhe të ardhmen e këtij shteti.
Në këtë fillim viti shkollor, dëshiroj t’i shpreh të gjithë mësuesve mirënjohjen time për përkushtimin dhe punën e palodhur që bëjnë për edukimin e nxënësve.
Edhe për kundër asaj që ky viti i ri shkollor do të jetë një vit jo i zakonshëm si rezultat i pandemisë Covid-19 do të bëjmë përpjekje të vazhdueshme që të jetë i suksesshëm dhe të shënojë arritje të reja që do ta afrojnë më shumë sistemin tonë arsimor me atë të vendeve të zhvilluara.
Bazë për këtë është puna e palodhur e nxënësve, mësuesve dhe të gjithë punonjësve të arsimit, si dhe mbështetja shembullore e prindërve dhe e familjeve që treguan në përfundimin e vitit paraprak shkollor.
I juaji Vloran Cenaj!