Ceremoni dinjitoze në varrimin e Hilmi Haradinajt
Ismail Syla
Të hënën në Gllogjan të Deçanit u varros me nderime të larta Hilmi Haradinaj. Ishte një ceremoni dinjitoze për dhënien e lamtumirës së një babai dëshmorësh. Edhe moti qe i mirë. Ai u varros ditën e 19 vjetorit të çlirimit të Skënderajt. Në 10 vjetorin e pavarësisë.
Para rreth një viti u varros babai i një luftëtari të shquar të UÇK-së, Muhamet Lladrovci (Tushi). Edhe në varrimin e tij pati shumë njerëz nga të gjitha viset shqiptare. Por i mungoi ceremonia e përkryer.
Është mëkat që të mungojë serioziteti dhe shkalla e lartë e nderimit të figurave të shquara kur varresen në kushte paqeje. Aq më shumë kur ka logjistikë, njerëz dhe mundësi të pakufishme.
Varrosja e Hilmi Haradinajt tregoi më së miri si duhet vepruar me figurat atdhetare shqiptare. Asnjë fjalë arabe. Veç ta kujtojmë varrosjen e ish kryeministrit Bajram Rexhepi vitin e kaluar: mbi nderimin shtetëror, nderimet fetare të hoxhallarëve e palimsestuan çdo gjë, duke bërë garë se cili po flet e lutet më shumë.
Ceremonia e sotme, 18 qershor 2018, u shqua për precizitetin dhe kulturën e lartë të organizimit. I vetmi element dobësie qe mosintonimi i himnit të Kosovës dhe mosprania e asnjë flamuri të Kosovës.
Më 6 qershor në spitalin privat në periferi të Prishtinës vizitova nënën e Heroit Rasim Kiçina, Nënë Hasiben, e cila kishte kaluar një intervenim kardiak. Nga ajo mësova se një kat më lart ishte Hilmi Haradinaj.
Pasi mbarova vizitën, shkova në katin e dytë dhe nga një person i stafit medicinal kërkova leje për ta vizituar Bacën Hilmi. Më tregoi dhomën dhe me kujdes hyra brenda. Dy vajza të reja po i rrinin te kryet. Baca Hilmi ishte në gjumë. Vajzat deshën ta zgjojnë, por insistova që të mos i prishet qetësia. Dola.
Një mbrëmje të vonë lexova njoftimin e kryeministrit për vdekjen e babait të tij. Një portal botoi një foto domethënëse, thua nga një ashensor, ku Ramushi është përballë dy Hilmive. Atij real dhe atij të pasqyrës. Hilmiut të përkohshëm dhe Hilmiut të përjetshëm. Hilmiut biologjik dhe atij shpirtëror.
Në fjalimin e tij demokrati shqiptar Lulzim Basha me të drejtë theksoi se njerëz si Hilmi Haradinaj u japin edhe më shumë kuptim vlerave të trimërisë, qëndresës dhe atdhedashurisë.