Çerkini: Ferizaj beson në mbijetesë
Futbollisti Dardan Çerkini për “Epokën e re” ka thënë se Ferizaj ka shanse shumë të mira ta sigurojë mbijetesën.
KF Ferizaj po beson maksimalisht se do të arrijë të mbijetojë në IPKO Superligën e Kosovës në futboll ashtu sikurse bëri edhe edicionin e kaluar duke tejkaluar të gjitha parashikimet për të mbetur në mesin e skuadrave më të mira në vend. Sivjet gara për mbijetesë është edhe më e “egër” sepse katër skuadra bien në Ligën e Parë.
Futbollisti Dardan Çerkini ka thënë se fitorja në ndeshjen e fundit në sezonin vjeshtor ndaj Drenicës në Skenderaj (0-2) i ka dhënë besim të madh skuadrës që drejtohet nga Bekim Isufi, Ferizajt, që në pranverë të luftojë me të gjitha forcat për të mbetur në topdhjetëshen e elitës.
“Fitorja në Skenderaj ishte shumë e rëndësishme për ne dhe ishte fitorja që na jep shumë besim se do të mbijetojmë në Superligë. Normalisht se në pranverë na pret shumë punë, por të bashkuar dhe me angazhim maksimal në stërvitje dhe ndeshje do t’ia arrijmë synimit”, ka thënë Çerkini për “Epokën e re”.
Pavarësisht se shënoi dy gola në stadiumin “Bajram Aliu” me vlerë të tri pikëve, Çerkini nuk e konsideron veten “hero” të Ferizajt, por ka thënë se të tillë janë që nga drejtori, trajnerët dhe gjithë lojtarët. “Mendoj se nga drejtori, trajnerët dhe të gjithë lojtarët janë ‘heronj’ të Ferizajt, sepse kishin shumë probleme në këtë stinor, por kishin të gjithë durimin për këta muaj dhe normalisht se të gjithëve na takon ky epitet. Ferizaj do të jetë skuadër më serioze në sezonin pranveror, por edhe rezultatet do të jenë më të mira”, ka shtuar ai.
Të martën është hedhur shorti për Digitalb Kupën e Kosovës, kurse në këtë rreth skuadra e Ferizajt do të përballet me Lirinë në Prizren. Futbollisti Çerkini ka shprehur optimizëm se skuadra e tij me sukses të plotë do ta kalojë edhe këtë sfidë. “Me ndeshjen ndaj Lirisë në kuadër të Kupës përfundon sezoni vjeshtor, prandaj ne shkojmë atje të luftojmë me të gjitha forcat dhe besoj do të shohim çfarë do të nxjerrim. Kam besim në skuadrën se do të bëjë një mbyllje të mirë të këtij sezoni dhe në pushim të shkojë më e relaksuar”, ka deklaruar Çerkini.
Klubi i Ferizajt në Superligë e mbylli në vendin e dhjetë me 18 pikë, pesë pikë është diferenca me zonën që mbijeton në këtë rang garash. Një fakt interesant është se skuadra e Ferizajt në shtatëmbëdhjetë ndeshjet e zhvilluara nuk ka regjistruar asnjë barazim, por ka regjistruar gjashtë fitore dhe njëmbëdhjetë humbje.
/Veton ZYMBERI/