
Çernobili mbetet sërish pa rrymë
Ish-termocentrali bërthamor i Çernobilit në Ukrainë ka mbetur sërish pa energji elektrike, pasi forcat ruse dëmtuan – për herë të dytë – linjën e tensionit të lartë në termocentral, tha kompania kombëtare e energjisë në Ukrainë, Ukrenergo.
Kompania ka thënë përmes një deklarate se linja, e cila furnizon me energji elektrike edhe qytetin Sllavutiq, është dëmtuar përsëri nga forcat ruse, pasi ekuipazhi i Ukrenergo-s e ka riparuar atë.
Termocentrali është shkëputur plotësisht nga rrjeti elektrik javën e kaluar.
Kjo ndërprerje ka vënë në rrezik rreth 20 tonë mbeturina bërthamore, që duhet të ftohen vazhdimisht, për të penguar rrjedhjen e tyre nga uzina, e cila ndodhet rreth 100 kilometra larg kryeqytetit të Ukrainës, Kiev.
Javën e kaluar, gjeneratorët emergjentë janë aktivizuar menjëherë.
Forcat ruse kanë marrë kontrollin e Çernobilit menjëherë pasi shteti rus ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.