Certifikohen 1 400 drejtorë të shkollave, pas trajnimit në udhëheqjen arsimore të mbështetur nga GIZ-i
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), ka bërë certifikimin e pjesëmarrësve në trajnimet: Edukimi në karrierë, këshillimi në karrierë dhe kompetenca digjitale, në kuadër të projektit “Aftësim për tregun e punës”.
Me këtë rast, ministrja e kësaj ministrie, Arbërie Nagavci, ka thënë se si shkak i bashkëpunimit 15-vjeçar me shtetin gjerman, sistemi i arsimit në Kosovë është përmirësuar dukshëm.
Ajo ka thënë se falë këtij bashkëpunimit tashmë janë 1 400 drejtorë të shkollave që janë të trajnuar në udhëheqjen arsimore nëpërmes programeve të mbështetura nga GIZ-i
“Falë bashkëpunimit tonë të frytshëm, ne kemi tashmë 1 400 drejtorë të shkollave që janë të trajnuar në udhëheqjen arsimore nëpërmes programeve të mbështetur nga GIZ-i. Kemi 5 000 mësimdhënës të trajnuar në didaktikë, metodologji dhe lëndë shkencore, kemi 500 mësues, 2 500 nxënës dhe mbi 300 prindër që janë përfitues nga masat e ngritjes së kapaciteteve për të lehtësuar kalimin në arsimin dhe aftësimin profesional. 70 pedagogë dhe psikologë shkollor të trajnuar për këshillim në karrierë. I kemi 21 komunitete të mësuarit së bashku, me përfshirjen e 100 shkollave të përfshira në këto komunitete. Në mbështetjen e infrastrukturës, kemi bërë shpërndarjen e 2 000 tabelave të zeza dhe 20 tabelave të mençura, shpërndarjen e 1 000 laptopëve dhe pajisjeve të tjera shkollore, krijimin e 520 këndeve miqësore për nxënësit”, ka thënë Nagavci.
Ndërsa ambasadori i Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, ka thënë se në 15 vjet të bashkëpunimit në sektorin e shkollimit fillor, qeveria gjermane ka mbështetur institucionet kosovare në përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe përmirësimin e mundësisë së punësimit të të rinjve.
“Duke kontribuar rreth 35 milionë euro për të ofruar një shkollim të përmirësuar. Së bashku kemi themeluar bazën ligjore për të rregulluar sektorin parauniversitar. Kemi krijuar mekanizma për zhvillimi profesional për mësimdhënësve ku më shumë se 1 400 mësimdhënës e drejtorë kanë përfituar nga masa e aftësimit profesional. Më shumë se 5 mijë mësimdhënës kanë përmirësuar shkathësitë tyre te mësimdhënies. Kemi themeluar sistemin e licencimit, kemi riintegruar të kthyerit dhe pakicat kombëtare në arsimin formal dhe kemi zbatuar masa për të adresuar çështjen e braktisjes, më shumë se 70 mijë nxënës kanë përfituar”, ka thënë Rohde, raporton “EO”.
Kurse Shpresa Shala, drejtoreshë e shkollës “Xhemail Mustafa”, ka thënë se është e lumtur që si shkollë janë përfitues të dy projekteve dhe se bashkëpunimi me GIZ-in ka bërë që shkolla e tyre të kalojë në një nivel tjetër sa i përket aftësimit profesional.