Certifikohen 112 gra në fushën e ndërmarrësisë dhe planeve të biznesit
Është mbajtur ceremonia e certifikimit të 112 grave dhe vajzave nga pesë rajone të Kosovës, në kuadër të projektit “Inkubatori i Biznesit për Gra”, i cili financohet nga Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.
Zëvendësministri i Inovacionit dhe Ndërmarërsëisë, Bujar Cakolli, ka marrë pjesë në ketë ceremoni, ku ka ofruar përkrahje për grat dhe vajzat e Kosovës në procesin e krijimit të bizneseve fillestare.
“Ky projekt është ndër më të rëndësishmit për neve si ministri, jo vetëm nga aspekti teknik, por edhe për nga koncepti dhe modeli i promovimit të ndërmarrësisë dhe inovacionit. Pozita e gruas në shoqërinë kosovare vazhdon të jetë, jo e mirë, andaj përmes projekteve të tilla ne synojmë që të fuqizojmë gratë e Kosovës, në mënyrë që të kemi më shumë biznese që udhëhiqen nga gratë dhe vajzat”, ka thënë zëvendësministri Cakolli.
Ai ka theksuar se Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, është e përkushtuar në zhvillimin e ndërmarrësisë dhe iniciativës private nëpërmjet inovacionit, duke u përqendruar në zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
Projekti “Inkubatori i Biznesit për Gra” ka ofruar trajnime profesionale në fushën e ndërmarrësisë dhe planit të biznesit.
Faza e dytë e projektit do të ofroj grantet e para për bizneset Start-Up dhe inkubimin e së paku dhjetë bizneseve të para Start-Up në Inkubatorin e Biznesit.
Ky projekt zbatohet nga partnerët KW4W dhe IMD.
/Epoka e re/